Morinë, Kukës
Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Grabitje me armë”.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
A. R, 51 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar, pasi Interpol Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin për veprën penale “Grabitje me armë”.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.