Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë – Në Vlorë e Sarandë kapen dhe vihen në pranga 2 autorë të dyshuar për zjarrvënie. Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i informacioneve dhe provave të grumbulluara, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. M, 41 vjeç, banues në fshatin Tragjas. Ky shtetas dyshohet se ka djegur me zjarr një sipërfaqe 1500 m2 me shkurre dhe rreth 20 rrënjë ullinj, në fshatin Tragjas. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. L., 23 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas dyshohet se ka djegur me zjarr një sipërfaqe kullosore në fshatin Shelegar. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
Durrës – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 08.08.2021, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 25-vjeçar. Kapet dhe ndalohet autori i kësaj ngjarjeje, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur ne tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat e DVP Durrës dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një pune hetimore profesionale, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit H. Ll., 31 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas, më datë 08.08.2021, në orën 23:40, në lagjen nr.18, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin I. S., 25 vjeç, i cili si pasojë e të shtënave është plagosur në këmbë. 25-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Elbasan – Vijojnë kontrollet e pandërprera në të gjithë qarkun Elbasan, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit. Evidentohen 2 raste të organizimit të lotarive të palejuara, procedohen penalisht 2 shtetas. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasin: O. C., 28 vjeç, banues në Elbasan, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit të tij iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një telefon në të cilin kishte të hapur faqe interneti për baste sportive; Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, shtetasin: I. R., 60 vjeç, banues në Gramsh pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit të tij iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një iPad në të cilin kishte të hapur faqe interneti për baste sportive. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd proceduan në gjendje të lirë shtetasin: L. H., 24 vjeç, banues në fshatin Polis Gostim, Librazhd, si dhe kanë shpallur në kërkim policor shtetasit E. C., 22 vjeç, G. D., 20 vjeç, banues në fshatin Polis, Gostim, Librazhd, pasi këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se i kanë vënë flakën mjetit tip “Ford” në pronësi të shtetasit N. C., banues në fshatin Polis Gostim, Librazhd. Për pasojë është djegur pjesërisht mjeti, i cili ishte i parkuar para banesës së shtetasit N. C Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
Vlorë – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 06.08.2021, ku mbeti i plagosur me sende të forta një 44-vjeçar. Vihen në pranga tre shtetasit e shpallur në kërkim si autorë të dyshuar të ngjarjes, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum, në bashkëpunim me strukturat e DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasve: D. H., 22 vjeç, D. I., 23 vjeç dhe K. P., 24 vjeç, të tre banues në Orikum. Këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, më datën 06.08.2021, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në afërsi të Orikumit, kanë goditur me grushta dhe me sende të forta, shtetasin H. H., 44 vjeç, banues në Orikum, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Fier – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Ofiçina”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Fier. Vihen në pranga 5 shtetas të cilët u kapën në flagrancë duke shkëmbyer lëndë narkotike. Sekuestrohet kokainë, 7 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 5 automjete dhe 6 aparate celularë. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca Operacionale në DVP Fier pas një punë të mirorganizuar, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore se një lokal në fshatin Ofiçinë, Patos ishte përshtatur si ambient për mbajtjen, përdorimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ofiçina”. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. Dh. (A)., 47 vjeç, L. G., 50 vjeç, I. N., 30 vjeç, D. K., 45 vjeç, banues në Patos dhe S. T., 49 vjeç, banues në Mallakastër. Këta shtetas janë kapur në ambiente e lokalit në pronësi të shtetasit D. K në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike. Gjatë operacionit, forcat policore gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 6 doza kokainë, 6 aparate celularë dhe 5 automjete. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.
DVP Lezhë – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohet në flagrancë një drejtues mjeti, procedohet penalisht 1 shtetase. Specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. P., 40 vjeç, banues në Ishull Lezhë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Fiat”, rrugën Shëngjin-Lezhë, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Gjatë verifikimit të kryer nga shërbimet e Policisë, rezultoi se 40-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.17 mg/ l. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, proceduan penalisht shtetasen Z. T., banuese në Ishull Shëngjin. Kjo shtetase ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së saj dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me barishte dhe kullota. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 85 shtetas, konkretisht: 10 janë ndaluar, 26 janë arrestuar në flagrancë dhe 49 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë, 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Durrës, 1 në Berat dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Fier, ku autori është shpallur në kërkim. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste, 2 në Tiranë, 3 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrim prone”, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës me zjarr, 2 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, 1 në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 rast për të cilin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Gjithashtu është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia” dhe 1 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Në Elbasan janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.
Në Durrës është arrestuar 1 shtetas, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.