Pogradec
Finalizohet operacioni policor i koduar “Hudënishti”.
Operacioni pas një hetimi 2-mujor, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pogradec në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve.
Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë.
Sekuestrohet 23 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi e destinuar për t’u trafikuar jashtë vendit.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, u finalizua operacioni i koduar “Hudënishti”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasi R. T., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe u shpallën në kërkim shtetasit Sh. I., 48 vjeç, S. O., 44 vjeç dhe M. T., 32 vjeç.
Gjithashtu në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat u bë ndalimi i shtetasit B. V., 35 vjeç, banues në Borizanë, Krujë (punonjës policie).
Në bazë të informacioneve të grumbulluara gjatë periudhës hetimore 2-mujore se disa shtetas, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike dhe synonin të trafikonin një sasi droge jashtë vendit, forcat e policisë organizuan veprimet dhe bënë të mundur sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të sasisë prej 23 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.