Durrës – Policia godet një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje, 3 persona në pranga

Durrës
Policia e Durrësit godet një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të kryera kryesisht në zonën e plazhit për rritjen e parametrave të sigurisë, Policia ka arrestuar 3 shtetas të cilët qarkullonin në automjet me armë zjarri me vete.
Sekuestrohen 2 armë zjarri.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, kryesisht në zonën e Plazhit, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës, kanë ndaluar për kontroll një mjet tip “Benz”, në lagjen nr.13, Plazh, Durrës.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, 1 pushkë dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit E. Xh., 32 vjeç, E. D., 26 vjeç dhe I. D., 48 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.