Tiranë – Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr.4 operacioni policor i koduar “Biza”

Tiranë

Goditet një rast i veprimtarisë së paligjshme të prerjes së pyjeve.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr.4 operacioni policor i koduar “Biza”.

U kap duke transportuar lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme, vihet në pranga 35-vjeçari si dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Sekuestrohen një sasi lënde drusore pa dokumentacionin përkatës dhe automjeti që shërbente për ta transportuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Biza” në kuadër të cilit bënë arrestimin e shtetasit E. K., 35 vjeç, pasi u kap duke transportuar një sasi prej 15m3 dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës, që dyshohet se ishin prerë në pyllin e Bizës.

Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me mjetin dhe një motorrsharrë me të cilën është prerë lënda drusore.

Në vijim të veprimeve, u bë shpallja në kërkim i shtetasit D. S., 38 vjeç, pasi dyshohet se në pyllin e Bizës, në bashkëpunim me shtetasin E. K., në periudha të ndryshme kohore, kanë prerë një sasi të konsiderueshme pemësh e drurësh.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.