Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 27 korrik 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndërmjetësi”. Operacioni nga Sektori për Hetimin e Krimit  Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë nën drejtimin e SPAK. Vihen në pranga 3 shtetas. Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në kuadër të Procedimit Penal të vitit 2021, pas një punë intensive disa mujore, finalizoi me sukses operacionin policor “Ndërmjetësi”. Në kuadër të operacionit u bë ekzekutimi  i urdhrave të lëshuar nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, e cila ka caktuar masë sigurimi personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve: Gazmend Canaj, 49 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; Admir Burri., 44 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; Neritan Bablusha, 52 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; Po në kuadër të operacionit u bë ekzekutimi i masës se sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personave nën hetim: B. H., 59 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; G. B., 58 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Gjithashtu, u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues  “Pezullimi i ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik” ndaj personit nën hetim: Panol At-Nikolla, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre punonjës i Drejtorisë Vendore të ASHK Tiranë Rurale 2, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” . Si dhe u bë shpallja në kërkim policor i shtetasit me iniciale “I. A.”, për të cilin Gjykata ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të shtetaseve të sipërcituar, për veprat penale  “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Skrapar/Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit M. M., 60 vjeç, banues në fshatin Dobrenjë, Skrapar. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi shërbimet e Policisë, më datë 22.07.2021, gjatë kontrollit në banesën e tij dhe në pyllin në afërsi të saj, kanë gjetur kubikë me fidanë të dyshuar cannabis sativa dhe dy krehra me fishekë. Për këtë rast, më datë 23.07.2021, janë arrestuar në flagrancë bashkëshortja e shtetasit M. M. dhe djali i tyre, shtetasi Q. M. (bashkëpunëtorë).  Berat/Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi S. V., 30 vjeç, pasi është konstatuar nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Spitalit”, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.98 mg/l. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Kurbin – Kanosi një familje duke qëlluar me armë zjarri në ajër pranë banesës së tyre, reagimi i  menjëhershëm dhe profesional i Policisë ka bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit. Sekuestrohet arma e zjarrit automatik, me të cilën i riu ka qëlluar në ajër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, pas një telefonate në Sallën Operative, se në fshatin Adriatik, një shtetas po qëllonte me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, duke parandaluar ngjarjen e mundshme kriminale. Punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e shtetasit D. Gj., i cili për motive të dobëta ka kanosur shtetasit P. N. dhe V. N. (bashkëshortë), banues në Adriatik, Kurbin, duke gjuajtur në ajër me armë zjarri automatik, në afërsi të banesës së tyre. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u arrestua në flagrancë shtetasi D. Gj., 23 vjeç, banues në Lezhë. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit automatik me një krehër me 24 fishekë. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Kanosja”.

DVP Durrës – Vijon puna nga strukturat e DVP Durrës dhe të Komisariateve në varësi, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Shijak/Kishte përshtatur lokalin për organizmin e lotarive të palejuara, arrestohet në flagrancë pronari i lokalit. Shërbimet e Komisariat të Policisë Shijak, në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e territorit, identifikimin, dokumentimin, parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit”, kanë arrestuar në flagrancë për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, shtetasin O. K., 30 vjeç, banues në Shijak. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit në pronësi të tij është konstatuar se ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 laptop dhe 1 kompjuter. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë proceduan penalisht shtetasin A. V., 43 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke transportuar me automjet, 2 m3 lëndë drusore, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 18 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin tip “Audi”, pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tepelenë – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, shpallet në kërkim 1 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivimin e bimëve narkotike, kanë evidentuar dhe goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë shpallën në kërkim shtetasin A. M.., 54 vjeç, banues në fshatin Progonat, pasi ka tentuar të kultivojë bimë narkotike në afërsi të një ambienti në pronësi të tij. Arrestohet një shtetas një shtetas për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit.” Sekuestrohen granata, ndezës dhe kallëpe tritoli. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. Sh., 49 vjeç, banues në fshatin Fushbardhë, Gjirokastër. Shtetasi A. Sh. mesnatën e datës 26.07.2021, në gjendje të dehur ka hedhur në lumë dy granata. Menjëherë pas marrjes së njoftimit shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë neutralizimin dhe prangosjen e shtetasit A. Sh. Nga kontrolli që është ushtruar në banesë u gjetën 6 granata, ndezës  dhe 5 kallëpe tritoli. Në datën 26.07.2021, është gjetur e pajetë në oborrin e banesës së saj, në fshatin Hundëkuq,  shtetasia O. K., 80 vjeçe, e cila prej disa kohësh vuante nga probleme të shëndetit mendor. Menjëherë pas njoftimit, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër kanë shkuar në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore rezulton se kjo shtetase është vetvrarë duke u djegur pjesërisht në pjesën e sipërme të trupit. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

DVP Lezhë – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 2 shtetas. Shërbimet e Policisë Lezhë, në vijim të punës së pandërprerë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike në doza, kanë organizuar punën dhe në lagjen “Gurra” , Lezhë, kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasin N. Gj., 25 vjeç, banues në Mirditë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Gj. P., 25 vjeç, banues në Adriatik, Kurbin, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar pa leje drejtimi, mjetin tip “Volksëagen”.   Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Himarë – Procedohen penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Gjatë ditës së djeshme, në vijim të fazës së dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u proceduan penalisht shtetasit Ll. Sh., M. Sh, banues në fshatin Vuno, A. Z, dhe M. Dh, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Gjipes, u konstatua se këta shtetas kishin zënë hapësirën publike duke vendosur 57 çadra pa lejen e organeve kompetente. Vlorë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje” të shtetasit K. B. alias K. A., 44 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj babait të tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Fier – Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim i dokumenteve”. Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në bazë të informacioneve të marra në rrugë policore, është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit: Selami Kasapi, 57 vjeç, banues në Lushnjë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë, me vendimin e datës 18.05.2016, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Gjithashtu, po kjo Gjykatë, me vendimin e datës 06.07.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 12 muaj burg për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Shtetasi Selami Kasapi, gjatë viteve 2014-2016, ka qenë me detyrë jurist pranë ZVRPP Lushnjë dhe gjatë kësaj kohe ka shpërdoruar detyrën duke falsifikuar dokumentet dhe duke regjistruar pronat në emër të disa personave. Lushnjë/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë proceduan penalisht shtetasin M. S., pasi në kodrën e fshatit Karbunarë ka ndezur një zjarr për djegien e barërave të thatë dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur 20 rrënjë ullinj në tokat e shtetasit B. K. Po nga këto struktura u procedua penalisht për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, shtetasi T. Ç., 59 vjeç, banues në Golem i Madh, Lushnjë, pasi është konstatuar duke kryer ndërtim pa leje. Fier/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier proceduan penalisht shtetasin A. F., pasi në fshatin Mbrostar Ferko ka ndezur një zjarr për djegien e barërave të thatë dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një kasolle në pronësi të shtetasit I. T. Po nga këto struktura u procedua penalisht për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, shtetasja B. L., 35 vjeçe, pasi në banesë i është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.   Janë referuar materialet në Prokurorinë Fier, për vlerësim, pasi në lagjen “1 Maji”, Patos, në dyqanin me pajisje elektro-hidrosanitare në pronësi të shtetasit G. M., dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike ka rënë zjarr dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier u arrestua shtetasi E. J., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin tip “Citroen”, në gjendje të dehur. Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi A. Ç., 44 vjeç, banues në Divjakë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Volksëagen” është përplasur me automjetin tip “Suzuki” dhe për pasojë është dëmtuar drejtuesi i “Suzukit”, shtetasi A. S. dhe pasagjerja shtetasja R. S., të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.  Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 66 penalisht shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar,19 janë arrestuar në flagrancë dhe 39 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Durrës; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 7 raste, 4 raste në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 2 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 1 rast me 2 autorë që po procedohen n gjendje të lirë dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Fier, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste, 2 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Korcë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar raste të “Shkatërrim prone”, 2 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”, 1 për “Mashtrimi” dhe 1 për “Shpërdorimi i detyrës”.

Në Berat është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”. Gjithashtu është proceduar penalisht 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 10 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Është arrestuar në flagrancë 1 drejtues mjeti, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.