Drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, shpejtësi që cenojnë sigurinë e jetës në rrugë, parakalime të gabuara dhe shkelje të tjera janë konstatuar gjatë 24 orëve të fundit nga kontrollet permanente të Policisë Rrugore në të gjithë vendin.

Kontrollet intensive nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë dhe Sektorët e Policisë Rrugore në DVP-të, duke përdorur dronë, radarë, kamera, aparate fotografike, makina të paloguara, gjatë 24 orëve të fundit, kanë çuar në pranga 10 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Përgjatë kontrolleve parandaluese të alternuara, me qëllim konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve që janë burim për aksidentet rrugore, nga efektivët e Policisë Rrugore Shkodër është goditur një tjetër rast i mitëdhënies. Shtetasi A. A., 38 vjeç, banues në Shkodër, duke drejtuar mjetin “Audi”, me xhama të riveshur, i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore, shumën 1500 lekë, për të shmangur masën administrative.

Telefonata e një qytetari ka parandaluar një ngjare të mundshme rrugore me pasoja për jetën në Shkodër. Pas telefonatës nga qytetari, që raportoi se në rrugën Velipojë-Shkodër, një automjet tip “Ford” kryente parakalime të rrezikshme, shërbimet e Policisë Rrugore bënë të mundur ndalimin e mjetit tek vendi i quajtur “Harku i Berideces”. Pas testimit për alkool, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. H. rezultoi në gjendje të dehur, në masën 1.62 mg/l dhe u arrestua në flagrancë.

Gjatë kontrolleve në 24 orët e fundit janë pezulluar gjithsej 38 leje drejtimi, nga të cilat 25 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 13 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të qytetarëve te Komisariati Dixhital apo në numrin 112, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 1707 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për parakalime të gabuara, për mospërdorim të rripit të sigurisë, për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, si dhe për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.

Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që mos të qarkullojnë me shpejtësi që cenojnë sigurinë e jetës në rrugë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

#MosUbejStatistike🚑
#RregullKujdesDurimDestinacion
#NeJemiAtyPerSigurineTuaj🚔