Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 21 korrik 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Nënkalimi”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, 2 prej tyre me precedent të theksuar kriminal për vrasje, mbajtje të ambienteve për prostitucion dhe prodhim dhe shitje të narkotikëve.  Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike kokainë, 1 armë zjarri dhe municion luftarak. Në zbatim të Planit të Masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e autorëve që mbajnë armë zjarri pa leje dhe personave në kërkim”, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Nënkalimi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. P., 46 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; E. Gj., 37 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për implikimin e këtyre shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në Durrës. Fillimisht, shërbimet e Policisë, rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Urës së Dajlanit”, kanë ndaluar mjetin tip “BMË”, me drejtues shtetasin E. Gj. dhe pasagjer shtetasin A. P. Gjatë kontrollit në mjet, në pjesën e poshtme të sediljes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Gj. iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me 14 fishkë. Ky shtetas, gjatë ndalimit të mjetit nga forcat e Policisë, ka goditur automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale me automjetin e tij dhe gjatë arrestimit, ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit. Gjithashtu, në vijim të operacionit dhe mbajtjes nën vëzhgim nga agjentët e Forcës Operacionale në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetasit: I. P., 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion” dhe S. M., 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi janë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 1 armë zjarri pistoletë me 14 fishekë, 4 aparate celular dhe 2 automjete. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Cërrik – Plagosi me mjet prerës fqinjin e tij gjatë një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit në kohë të Policisë kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i ngjarjes. Më datë 21.07.2021, rreth orës 03:05, Policia ka marrë njoftim se në fshatin Shalës, Cërrik, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi B. Sh., 31 vjeç, kishte plagosur me mjet prerës (thikë) fqinjin e tij, shtetasin B. Dh., 44 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë, falë vlerësimit në kohë të informacionit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, ku bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariat të autorit të dyshuar të ngjarjes. Në përfundim të veprimeve, shtetasi B. Sh. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim kombëtar. Kapet dhe ndalohet një 44-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër jetës, brenda dhe jashtë vendit. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar: E.(S). M.(M.), 44 vjeç, i dënuar më parë në Shqipëri dhe në Gjermani, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Ndalimi i këtij shtetasi u bë sepse ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 6, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, sepse më datë 31.03.2021, në bulevardin “Migjeni”, ka plagosur me thikë shtetasin A. Xh. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Mirditë, Lezhë – Policia e Mirditës parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti për motive pronësie. Kanosi me armë gjahu një familje, vihet në pranga 30-vjeçari. Sekuestrohet arma e gjahut, të cilën e mbante pa leje. Gjithashtu, vihet në pranga një shtetas tjetër, për veprën penale “Dhuna në familje”. Shërbimet e Policisë Mirditë, pasi kanë marrë njoftimin për një konflikt mes fqinjëve në fshatin Kthjellë e Epërme, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe vënien në pranga të shtetasit B. C., 30 vjeç, banues në Kthjellë e Epërm, Mirditë. Ky shtetas ka kanosur për motive pronësie, me një armë gjahu që e mbante pa leje në banesë, shtetasit Gj. P., D. P., R. P. dhe L. P. Gjithashtu, nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. B., banues në Shkodër, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases M. B. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Kuçovë – Plagosi me armë zjarri një shtetas, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori. Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kuçovë u shpall në kërkim shtetasi R. Gj., 29 vjeç, banues në lagjen “11 Shkurti”, Kuçovë, pasi në lagjen “11 Shkurti”, Kuçovë, gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri pistoletë në dorë, shtetasin Xh. K., 25 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 58 penalisht shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 24 janë arrestuar në flagrancë dhe 32 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 9 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 2 raste në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste: 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për korrupsion aktiv, dhe 1 tjetër për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Në Vlorë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Thirrja për urrejtje nacionale”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Në Shkodër janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 11 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.