Kontrolle të befasishme për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri me vete.
Qarkullonin me armë zjarri në makinë, vihet në pranga poseduesi i armës (pasagjer në mjet), procedohen penalisht drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët e tjerë.
Sekuestrohet një armë zjarri kallashnikov, një automjet tip “Benz” dhe tre telefona celularë.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj vijojnë kontrollet e befasishme në kohë dhe vende të ndryshme, me qëllim kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me lëndë narkotike apo me armë zjarri me vete.
Si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa të rinj qarkullonin me armë me vete në një mjet “Benz”, shërbimet e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Shkodër, në vendin e quajtur “Bregu i Ranës”, në lagjen Guerile, Shkodër, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Benz” që drejtohej pa leje drejtimi nga shtetasi F. M.
Nga kontrolli i ushtruar në mjet, poshtë sediljes ku ishte ulur shtetasi S. Gj., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër rezultoi se arma e zjarrit i përkiste shtetasit S. Gj., 19 vjeç, banues në lagjen Guerile, Shkodër, pasagjer në mjet, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Gjithashtu u proceduan penalisht drejtuesi i mjetit, shtetasi F. M., 17 vjeç, për veprat penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Moskallëzim krimi”, si dhe vëllezërit G. K., 19 vjeç e G. K., 15 vjeç, pasagjerë në mjet, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Materialet procedurale i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.