Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 korrik 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Intensifikohen kontrollet  për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri e lëndë narkotike. Si rezultat i kontrolleve  kapet dhe vihet në pranga  një 55-vjeçar i shpallur në kërkim për  kultivim të bimëve narkotike,  vihet në pranga dhe një tjetër 55 vjeçar për  tentativë  për kultivim të kanabisit.  Gjithashtu, procedohen penalisht dhe 2 shtetas, për  fshehje  të të ardhurave dhe mospagim të taksave. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin Z. B., 55 vjeç, banues në Kashnjet, Lezhë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin e datës 12.07.2021 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Strukturat policore në DVP Lezhë, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura, në ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në vendin e quajtur “Këneta e Balldrenit” është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, shtetasi Gj. N., 55 vjeç, banues në Kallmet, Lezhë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit ekonomik, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Operacionale për Autostradën kanë shtuar kontrollet dhe si rezultat kanë konstatuar dhe ndaluar, në aksin rrugor Rrëshen-Milot, automjetet tip “Volksëagen” dhe “Audi”. Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar së drejtuesit e këtyre mjeteve, shtetasit H. Sh. dhe Q. H., po transportonin në mënyrë të paligjshme, 276 koli me pije freskuese, pa dokumentacionin shoqërues tatimor. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë DVP Lezhë proceduan penalisht shtetasit H. Sh., 20 vjeç dhe Q. H., 32 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave “dhe “Mospagimi i taksave”. Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Bie në prangat e Policisë një tjetër shtetas i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin Elvis (Vasil) Mërtiri, 32 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e ka dënuar me 5 vjet burgim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Ky shtetas, më datë 13.03.2017, është kapur me një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe një sasi lënde narkotike kokainë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Skrapar – Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohen 2 autorët e dyshuar të tentativës për kultivim. Sekuestrohen fara cannabis dhe një radiomarrëse. Shërbimet e Policisë Skrapar, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatin Barçë, Skrapar, kubikë me fidanë të dyshuar cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasit E. R., 39 vjeç dhe A. R., 35 vjeç (vëllezër), të dy banues në fshatin Barçë. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur kubikë me fidanë të dyshuar cannabis sativa pranë tokës në pronësi të këtyre shtetasve. Gjithashtu, në banesën e shtetasit E. R. u gjetën fara të dyshuara cannabis sativa dhe një radio dore komunikuese. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. M., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit të mjetit me të cilin ky shtetas qarkullonte, nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Shkatërrim i pronës”, i shtetases Xh. A., 21 vjeçe, pasi gjatë kontrollit fizik i është gjetur dhe i është sekuestruar një sasi lënde narkotike kanabis. Kjo shtetase, për të shmangur shoqërimin, ka kundërshtuar me dhunë për shkak të detyrës, punonjësit e Policisë së Rendit Publik dhe ka dëmtuar derën e dhomave të shoqërimit. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E. Sh., 22 vjeç dhe D. S., 41 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Më datë 14.07.2021, shtetaset  S. G., 61 vjeçe dhe B. P., 45 vjeçe, kanë deklaruar se kur kanë shkuar tek një spital, për të kërkuar informacion për një pacient, një shtetas ende i paidentifikuar, i cili është prezantuar si roja e spitalit, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre. Punohet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë – Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasi A. O., 49 vjeç, banues në fshatin Vergo, Delvinë, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën të kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa. Gjatë ditës së djeshme, në vijim të fazës së dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u procedua penalisht shtetasi:  D. K., 44 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Zvërnecit, Vlorë, u konstatua se ky shtetas kishte zënë hapësirën publike duke vendosur shezlongë dhe çadra pa lejen e organeve kompetente. U sekuestruan 38 çadra dhe 70 shezlongë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar 88 penalisht shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 23 janë arrestuar në flagrancë dhe 57 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë, 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 autorë të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Berat, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste: 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 2 në Fier, 1 në Lezhë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Shkatërrim prone”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të kalim të paligjshëm të kufijve”, 1 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor të shpallur në kërkim; 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Pushtim toke”, 1 për “Shpërdorim detyre” dhe 1 për “Vepra të turpshme”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja pa leje pa armëve të ftohta”.

Në Fier është procedohet penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Në Kukës janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshëm e pyjeve”.

Në Gjirokastër është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.