Vlorë, Sarandë – Vihen në pranga 2 shtetas

Specialistet e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin M. N., 36 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë punonjës pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë Himarë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit R. H. dhe E. Z. (të arrestuar më parë) dhe Dh. B. (i shpallur në kërkim), ish-punonjës pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë, gjatë muajit maj ka shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e bashkisë Himarë.
– – – –
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasen R. H, 25 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së saj.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.