Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Kimistja 2”

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kimistja 2”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave sintetike.

Sekuestrohen doza me heroinë, ekstazi, metadon dhe lëndë narkotike në formë të lëngët.

Në pranga poseduesja, njëkohësisht dhe shpërndarësja e lëndës narkotike.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë zhvilloi dhe finalizoi me sukses operacionin e koduar “Kimistja 2”, si rezultat i të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetases:

– D. Z., 24 vjeçe, banuese në Tiranë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dispononin informacion se kjo shtetase iu shiste drogë sintetike të llojeve të ndryshme në qytetin e Tiranës, kryesisht në lokalet me muzikë në zonën e Porcelanit, Pazarit të Ri dhe Bllokut, personave të ndryshëm, kundrejt çmimeve që varionin nga 1.000 lekë të rinj deri në 10.000 lekë të rinj për një dozë (kokërr).

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, 24-vjeçares iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar heroinë, ekstazi, metadon dhe një aparat celular.

Gjithashtu, kësaj shtetaseje i është sekuestruar edhe një lloj droge në formë të lëngët, të cilën e shpërndante me shiringë, që zakonisht përdoret nga moshat e reja duke e tretur në pije.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.