Durrës – Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Pikës Kufitare Morinë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin:

E. F., 32 vjeç, banues në Varosh, Lezhë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, në vitin 2018, në Thumanë, Krujë, ka kanosur me armë zjarri shtetasin D. M.

Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës u ndalua shtetasi K. D., 22 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të policisë” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. I., 51 vjeç, banues në Tiranë, (në ambientet e spitalit), pasi ditën e djeshme, në Bubq, Krujë, ka goditur me mjet prerës (thikë), bashkëshorten e tij, shtetasen K. I., e cila ndërroi jetë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.