Drejtori i Departamentit për Shërbimet Mbështetëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Theodhori Gravani, i shoqëruar nga Drejtoresha e Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit Nevila Xoxa dhe shefi i Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse, zhvilloi një vizitë të suksesshme në Itali.
Projekti rajonal IPA 2019 “Lufta kundër Krimeve të Rënda në Ballkanin Perëndimor” organizoi një vizitë katërditore, pranë Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale dhe në strukturat e tjera përkatëse në Itali, në kuadër të Planit Vjetor të Punës së Projektit “Ndarja e informacionit operacional dhe ndërveprimi i sistemeve dhe bazave të të dhënave”.
Gjatë kësaj vizite, delegacioni pati mundësinë të vizitonte Sallën Operacionale Ndërkombëtare në Itali dhe të shkëmbente njohuri e qasje të reja në lidhje me mënyrat strategjike për ndarjen e informacionit operacional dhe mbi ndërveprueshmërinë e sistemeve dhe bazave të të dhënave dhe gjithashtu, të përfitonte njohuri praktike në lidhje me Pikën e Vetme të Kontaktit, ndërveprimin e sistemeve dhe bazave me të dhëna policore, si dhe metodologjive të zbatuara në përputhje me standardet e BE-së, falë takimeve të mbajtura me homologët italianë.
Një nga objektivat kryesorë të Projektit IPA 2019 “Lufta kundër Krimeve të Rënda në Ballkanin Perëndimor” është të lehtësojë bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, vendeve evropiane dhe agjencive partnere.
Kjo vizitë shërbeu si një mundësi shumë e mirë për të zgjeruar partneritetin midis kolegëve evropianë dhe të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu, për të shkëmbyer përvojat midis të dyja palëve.
Për më tepër, përmes vizitave në ambientet e strukturave të ndryshme, si Njësia Kombëtare EUROPOL, Zyra INTERPOL, Qendra e Përpunimit të të Dhënave, Qendra Operacionale për Sigurinë Kibernetike, Salla e Kontrollit API/PNR, Sektori i ADN-së, Baza e të Dhënave Schengen, Qendra Kombëtare Elektronike etj, u bë i mundur vëzhgimi nga afër i ambienteve të punës dhe mënyra e funksionimit në këto struktura, organizimi, detyrat dhe procedurat e punës, harduerët dhe softuerët, mekanizmat dhe instrumentet e bashkëpunimit dhe koordinimit etj.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e PSH-së ndanë përvojën, pengesat dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen në këtë drejtim, gjë që ishte gjithashtu e dobishme për homologët italianë.
Së fundmi, delegacioni shqiptar u prit nga ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Italisë Sh. S. Anila Bitri, e cila theksoi rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit të fortë dypalësh dhe partneritetit midis autoriteteve ligjzbatuese të të dy vendeve dhe përgëzoi të dyja palët, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit dhe të Projektit IPA 2019 “Lufta kundër Krimeve të Rënda në Ballkanin Perëndimor”, për punën e frytshme të bërë në këtë drejtim, deri më tani.