Policia Rrugore – Kontrolle intensive në akset rrugore në të gjithë vendin

Respekto rregullat e qarkullimit rrugor, shpëto jetë!

Kontrollet intensive të kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, duke përdorur radarë, dragera, dronë, kamera, aparate fotografike dhe automjete të paloguara, evidentohen dhe ndëshkohen mijëra shkelës të Kodit Rrugor.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, janë pezulluar 74 leje drejtimi dhe janë ndëshkuar me masë administrative 3037 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor, të cilat përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht:

• Janë pezulluar 54 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara. Shpejtësia më e madhe e matur me radar është konstatuar në rrugën interurbane tuneli i Kërrabës-Elbasan, ku automjeti i drejtuar nga 21 vjeçari R. B., nga Elbasani, u konstatua me 209 km/orë. Gjithashtu janë pezulluar 20 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;

• Janë arrestuar në kushtet e flagrancës 11 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti dhe motomjeti pa leje drejtimi.

• Janë vendosur 503 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 402 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 745 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 231 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 912 masa për parakalime të gabuara, 212 masa për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve dhe 32 masa për shkelje të semaforit.

Policia Rrugore do vijojë kontrollet intensive të pandërprera duke përdorur të gjitha mjetet logjistike që ka në dispozicion, për të monitoruar sjelljen e të gjithë përdoruesve të rrugës në raport me normat e sjelljes, jo për të “frikësuar”, por për të edukuar dhe parandaluar aksidentet rrugore.

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.

#MosUbejStatistike🚑
#RregullKujdesDurimDestinacion