Nënshkruhet protokolli “Për bashkëpunimin mes Policisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi gjatë sezonit turistik 2021”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi, Zoran Brdanin, nënshkruan protokollin “Për bashkëpunimin mes Policisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi gjatë sezonit turistik 2021”.

Nënshkrimi i protokollit u bë ditën e sotme, në ambientet e reja të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Drejtorët Veliu dhe Brdanin kanë theksuar se mes dy policive ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer, i shtrirë në disa fusha:

• Në drejtim të marrëdhënieve mes dy policive kufitare, për të kryer kontrolle dhe patrullime të përbashkëta, duke theksuar se Pika e Kalimit Kufitar Muriqan tashmë është pikë reference edhe për partnerët e tjerë, për të kryer shërbime e kontrolle të përbashkëta;
• Në drejtim të parandalimit të flukseve migratore;
• Të parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare;
• Të shkëmbimit të informacionit për personat apo grupet që ushtrojnë veprimtari kriminale;
• Si dhe të rritjes së forcës parandaluese dhe goditëse ndaj grupeve kriminale në fushën e krimit të organizuar.

Të dy drejtorët u dakordësuan për ngritjen e skuadrave të përbashkëta hetimore, për hetimin e plotë të krimeve ndërkufitare dhe të krimit të organizuar, me qëllim që mos mbetemi thjesht në kuadrin e shkëmbimit të informacionit dhe të veprojmë të ndarë, por të veprojmë bashkërisht me hetime të përbashkëta ndaj personave apo grupeve kriminale që ushtrojnë aktivitetin kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetasve nga vendet e treta që hyjnë ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit me shtetin grek, dhe më pas tentojnë të kalojnë në një nga vendet e BE-së, nëpërmjet Malit të Zi.

Në fund të takimit, Veliu dhe Brdanin nënshkruan protokollin “Për bashkëpunimin gjatë sezonit turistik 2021” midis Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe Drejtorisë së Policisë të Malit të Zi, për dërgimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në Malin e Zi, gjatë sezonit turistik, me qëllim shkëmbimin e politikave policore, mbështetjen në parandalimin e ngjarjeve kriminale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, forcimin e sigurisë rrugore, si dhe parandalimin dhe luftën kundër veprave penale me karakter ndërkufitar, gjatë sezonit turistik në Malin e Zi.