Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Pukë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Goska”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Pukë, për goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas që u kapën në tentativë për të kultivuar kanabis në një zonë të pyllëzuar të fshatit Lajthizë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Goska’, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. H., 31 vjeç, A. L., 25 vjeç dhe J. H., 33 vjeç, të tre banues në Tiranë dhe M. F., 17 vjeç, banues në Kukës. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vendin e quajtur “Përroi i Goskës”, në fshatin Lajthizë të Njësisë Administrative Qafë Mali, kishin hapur një sipërfaqe toke në një zonë të pyllëzuar dhe kishin bërë gati kubikët me fidanë kanabis sativa për t’i kultivuar në tokë. Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Berat – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”. Në pranga dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Dhuna në familje”. Policia Rrugore e Beratit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të qarkut, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve dhe motomjeteve që shkelin rregullat e Kodit Rrugor dhe bëhen rrezik për aksidente. Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. H., 51 vjeç, banues në Dimal dhe S. S., 22 vjeç, banues në Kuçovë, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motomjetet e tyre, pa leje drejtimi dhe pa dokumentacionin përkatës. Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 3 shtetas të tjerë, për veprën penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. T., banues në Perondi, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe babait të saj. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Dibër – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasin E. P., 32 vjeç, banues në Peshkopi, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, në banesë. Gjatë ndërhyrjes së Policisë për parandalimin e mëtejshëm të konfliktit, shtetasi E. P. ka tentuar t’iu largohet shërbimeve të Policisë duke u hedhur nga ballkoni dhe për pasojë ka pësuar dëmtime fizike. Aktualisht 32-vjeçari ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Lezhë – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas. Shërbimet e Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në vendin e quajtur “Lalm Lukaj”, Lezhë, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike shtetasi N. D., 57 vjeç, banues në fshatin Lalm, Lezhë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Fier – Më datë 25.06.2021, në një parcelë në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, është gjetur i vdekur, pa shenja dhune, shtetasi E. H., 47 vjeç, banues në fshatin Therepel, Skrapar. Po punohet për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së parë Lushnjë për vlerësim.
Interpol Tirana – Një tjetër person i shpallur në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë. Falë bashkëpunimit të ZQK INTERPOL Tirana me Policinë Kufitare të Hanit të Hotit Shkodër, falë edhe kontrollit të detajuar të dokumentacionit, në hyrje u arrestua shtetasi Uka Beganaj, 42 vjeç, banues në Cetinje, Mali i Zi. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë në Gjermani, pasi Gjykata Lokale Stade, Gjermani, me vendimin e datës 08.07.2020 e ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Vjedhja në rrethana rënduese”. Arrestimi provizor u krye me qellim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Ëiesbaden Gjermani dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, vijon punën për plotësimin e dokumentacionit për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Gjermanisë.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 193 shtetas, konkretisht: 14 janë ndaluar, 48 janë arrestuar në flagrancë dhe 131 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 9 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 25 raste, me 16 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 14 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 23 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 9 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë të shpallur në kërkim; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 13 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 17 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 25 raste: 4 raste me 7 autorë të arrestuar në flagrancë, si dhe 21 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjithashtu janë proceduar penalisht 2 shtetas për “Vjedhja me dhunë” dhe 1 tjetër për “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të shkatërrimit të pronës, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Trafikimi i mjeteve të motorike”, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, me 2 autor që autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe 1 tjetër për “Falsifikimi i dokumenteve”.
Janë evidentuar 3 raste të “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është proceduar 1 shtetas për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, 1 për “Vetëgjyqësia”, 1 për “Përndjekja”, 1 për “Prishja e qetësisë publike”, 1 për “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 2 për “Shpërdorimi i detyrës”.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 10 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 20 aksidente, me 2 viktima dhe 27 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.