Policia e Shtetit – Parandalohet dhe goditet një tjetër tentativë për trafikim të drogave të forta

Parandalohet dhe goditet një tjetër tentativë për trafikim të drogave të forta.

Parandalimi nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare Shkodër.

Sekuestrohen rreth 17 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë.

Më datë 26 qershor, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare të DVKM Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, bazuar dhe në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, një kamion me targa shqiptare që po qarkullonte për në drejtim të Malit të Zi.

Për një kontroll më të specializuar, kamioni është shoqëruar në Portin e Durrësit, ku është kontrolluar nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit Durrës dhe autoritetet doganore të Portit Durres, që veprojnë përherë në Port.

Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në kamion kishte të fshehur rreth 17 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar heroinë.

Nga veprimet e para hetimore është arrestuar në flagrancë dretuesi i kamionit ku u gjet lënda narkotike.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të ketij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë tentative për trafikim të drogave të forta.