Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24 qershor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër – Goditet një tjetër rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve mes Policisë Kufitare të Kakavijës, FRONTEX-it dhe DVP Gjirokastër, vihet në pranga 23-vjeçari që u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit. Sekuestrohen një automjet dhe një aparat celular. Nga shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër dhe shërbimet e FRONTEX-it, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestua në flagrancë shtetasi A. V., 23 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Shtetasi A. V. u kap në vendin e quajtur “Ura e Glinës”, duke transportuar me automjetin tip “Chevrolet”, 4 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Pogradec – Arrestohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pronari i banesës, në të cilën dje, gjatë punës, u dëmtua një punëtor. Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Hudënisht, Pogradec, ku gjatë punës u dëmtua shtetasi R. L., 58 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh. P., 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë punimeve në banesën e tij (e pajisur me leje ndërtimi dhe dokumentacion të rregullt) është rrëzuar nga shkallët 58-vjeçari, i cili mori dëmtime në kokë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Kurbin, Lezhë – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas. Sekuestrohen një armë zjarri automatik dhe municion luftarak. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në vendin e quajtur “Marvalak”, Mamurras, është konstatuar në tentativë për të kultivuar bimë narkotike shtetasi Xh. K., 35 vjeç, banues në Mamurras, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në territorin përreth, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatik dhe municion luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Tropojë – Plagosi me armë zjarri 39-vjeçarin, Policia arreston në kohë rekord autorin. Sekuestrohet edhe arma e krimit, kallashnikov. Sot, rreth orës 07:10, në fshatin Luzhe, si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta,  shtetasi I. A., 46 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetasin B. K., 39 vjeç, banues në Luzhë, i cili  është transportuar për mjekim në spitalin e Tropojës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, të cilat falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, shtetasit I. A., i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur në periferi të fshatit. Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së krimit, kallashnikov me një krehër me municion luftarak.  Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe një armë e ftohtë thikë me të cilën dyshohet se në momentin e konfliktit të çastit, i dëmtuari ka kanosur me thikë autorin dhe më pas konflikti është përshkallëzuar në përdorimin e armës nga 46-vjeçari.  Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e  plotë të  rrethanave të ngjarjes.

Berat – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve janë goditur dy raste të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Procedohen penalisht 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari. Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat kanë konstatuar dy raste të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit online, nëpërmjet celularit. Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat u proceduan penalisht shtetasit A. K., 37 vjeç dhe S. H., 40 vjeç, banues në Berat, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër, Përmet – Goditen dy raste të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.   Procedohen penalisht 2 shtetas. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit Gjirokastër proceduan penalisht për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasin E. M., 33 vjeç, banues në Libohovë, pasi u konstatua se në ambientet e lokalit të tij ushtronte aktivitetin e palejuar të basteve sportive nëpërmjet tabletit, si dhe ishte i papajisur me kasë fiskale. Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet proceduan penalisht për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, shtetasin D. I., 43 vjeç, banues në Përmet, pasi në lokalin e tij u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një server dhe aksesor plotësues, me anë të të cilëve dyshohet se kryente aktivitetin e palejuar të lojërave të fatit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 31 vjeç, pasi në rrugën “Kujtim Laro”, gjatë një konflikti me disa shtetas të tjerë, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësin e policisë së rendit publik, për të shmangur shoqërimin e tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: D. Ç., 26 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; F. P., 26 vjeç, pasi ka përplasur motomjetin me drejtues Z. L., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Lushnjë – Nga specialistët për Hetimin e Krimit u arrestua në flagrancë shtetasi H. C., 68 vjeç, banues në Gjazë, Lushnjë, pasi në banesë, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta vëllanë e tij, shtetasin B. C., 67 vjeç.  U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për shtetasin L. S., 39 vjeç, banues në Lushnjë për veprën penale “Dhunë në familje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 87 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 67 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 4 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Fier; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 19 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë, si dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrimi i pronës”, 1 në Durrës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 2 në Berat dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 4 shtetas, 2 për “Pushtim toke”, 1 për “Vetëgjyqësia” dhe 1 për “Shpërdorim detyre”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 9 raste aksidentesh, me 11 persona që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Është arrestuar në flagrancë 1 drejtues mjeti dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.