Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kukës – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Binomi”. Operacioni nga DVP Kukës, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotikëve. Shpërndanin lëndë narkotike në doza të vogla në Kukës dhe Has, arrestohen në flagrancë 6 shtetas. Sekuestrohet një sasi lënde narkotike dhe fara kanabisi. Strukturat e DVP Kukës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotikëve, në kuadër të hetimit disamujor të nisur ndaj disa shtetasve, për shpërndarje të lëndëve narkotike në Kukës dhe Has, bazuar në provat e siguruara, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Binomi”. Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. C., 23 vjeç, A. M., 24 vjeç, L. P., 28 vjeç, B. P., 24 vjeç, G. P., 23 vjeç, dhe B. P., 15 vjeç, banues në Kukës dhe Has. Gjatë operacionit, në qytetin e Kukësit, në lagjen Zabel, shërbimet e Policisë kanë ndaluar dy automjete, me drejtues shtetasit G. P. dhe A. C. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetet e tyre, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike kanabis dhe fara kanabisi. Nga hetimet e kryera ka rezultuar së këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike në doza në qytetin e Kukësit dhe Hasit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Fier – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Taksisti”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kapën duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga Sektori i Qarkullimit Rrugor, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, pas informacioneve të marra në rrugë policore se një automjet furgon tip “Benz” po transportonte klandestinë drejt Tiranës, finalizuan operacionin policor të koduar “Taksisti”, në përfundim të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit B. K., 53 vjeç, banues në Durrës dhe R. J., 53 vjeç, banues në Durrës. Këta shtetas janë kapur në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë Rrugore, në vendin e quajtur “Rotondo e Kolonjës”, duke transportuar me automjetin tip “Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm (sirianë), të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.
Maliq – Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, bie në prangat e Policisë 30-vjeçari. Sekuestrohen krehra automatiku dhe pushke, si dhe municion luftarak. Mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Pendavinj, Maliq, shtetasi J. Q., 30 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin B. D., 29 vjeç (i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje), të dy banues në fshatin Pendavinj, kishte qëlluar me armë zjarri tip automatik në drejtim të tij, pa i shkaktuar lëndime, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në bashkëpunim me Strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Forcat Speciale “Shqiponjat”, shkuan menjëherë në vendngjarje dhe falë ndërhyrjes së shpejtë, bënë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes. Nga veprimet e mëtejshme dhe kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit J. Q., u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale krehra automatiku dhe pushke, pjesë të tjera përbërëse të armëve të zjarrit dhe municion luftarak. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
DVP Berat – Organizonte lojëra fati nëpërmjet celularit, procedohet penalisht 1 shtetas. Procedohet penalisht dhe 1 shtetas tjetër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësim i paligjshëm”. Nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik u procedua penalisht shtetasi E. K., 45 vjeç, banues në Berat, pasi u konstatua në ambientet e lokalit të tij duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit online, nëpërmjet celularit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 1 aparat celular. Po nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik u procedua penalisht shtetasi E. T., 62 vjeç, banues në Berat, pasi gjatë kontrollit në subjektin e tij bar-kafe, u konstatua një punonjës i pasiguruar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Bie në prangat e Policisë një 27-vjeçar i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjeve të ndodhura më parë dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, me qëllim vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin: A. B., 27 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se është i përfshirë në ngjarjen e ndodhur më datë 18.09.2020, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ku pas një konflikti të çastit me mjete të forta dhe më pas me armë zjarri mbetën të plagosur shtetasit E. Gj., 19 vjeç, H. T., 23 vjeç dhe shtetasi A. B. (Gj)., 39 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të mara ndërroi jetë në Spitalin Rajonal Durrës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
DVP Durrës – Goditet një rast i tentativës për kultivimin e bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas. Arrestohet në flagrancë dhe një shtetas që tentoi të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara. Strukturat e DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në zbatim të planit të masave me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, si dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve, në Fushë Krujë, në pronën e shtetasit L. K. janë gjetur të kultivuar disa fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit L. K., 47 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin turk E. K., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në PKK Durrës, ka tentuar të kalojë kufirin me dokumente të dyshuara si të falsifikuara. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Lushnjë – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve është goditur një rast i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Sekuestrohen pajisjet elektronike që shërbenin për ushtrimin e këtij aktiviteti, arrestohet në flagrancë administratori i lokalit ku ushtrohej aktiviteti. Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë është bërë i mundur evidentimi dhe goditja e një rasti të ushtrimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në qytetin e Lushnjës. Gjatë kontrollit në lokalin e marrë me qira nga shtetasi K. D. u gjetën dhe u sekuestruan 4 aparatura të lojërave të fatit, 1 laptop, 2 tableta dhe 7 televizorë, që shërbenin për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë u arrestua në flagrancë shtetasi K. D., 27 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë – Merrnin materiale nga shtrati i lumit Shushicë, pa leje nga organet kompetente, procedohen penalisht 2 administratorë firmash. Procedohet penalisht dhe një shtetas tjetër, për shpërdorim detyre. Në kuadër të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, në vijim të kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit, në lumin Shushicë janë konstatuar disa automjete që po gërmonin shtratin e këtij lumi. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko Financiare kanë proceduar penalisht shtetasit: F. H., 58 vjeç, banues në Vlorë dhe V. D., 39 vjeç banues në fshatin Bunavi, Vlorë. Këta shtetas u proceduan pasi në vendin e quajtur “Kthesa e Picarit”, në shtratit e lumit Shushicë, u konstatuan disa automjete të rënda të dy firmave të ndryshme të administruara prej tyre, duke marrë materiale inerte (zhavorr) pa lejet përkatëse mjedisore, me qëllim tregtimin e tyre pa dokumentacionin tatimor përkatës. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, shtetasi A. H., 47 vjeç, me detyrë inspektor i IKMT Vlorë, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontrolle të vazhdueshme për monitorimin e territorit. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Dibër – Kryenin gjueti peshkimi në mënyrë të paligjshme, procedohen penalisht nga Policia 3 shtetas. Në vijim të punës për ruajtjen e mjedisit dhe kontrollit të territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër është goditur një rast i gjuetisë së peshkimit në mënyrë të paligjshme, si rezultat i të cilit filloi procedimi penal për shtetasit: XH. S., 45 vjeç; A. S., 49 vjeç; D. J., 26 vjeç; banues në Maqellarë. Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e Policisë duke kryer peshkim në mënyrë të paligjshme në lumin Drin i Zi. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale kapsolla dhe fitil zjarr përcjellës të përdorura nga shtetasit e lartpërmendur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Qafë-Thanë – Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Policia Kufitare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe autoritetet doganore, parandalojnë dhe godasin një rast të mosdeklarimit të një shume parash në euro. Arrestohet në flagrancë një shtetas maqedonas. Sekuestrohen 17.770 euro të padeklaruara. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë-Thanë, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm mjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin Z. N., 34 vjeç, banues në Shkup, Maqedonia e Veriut. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, në një çantë, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17.770 euro, sasi të cilën ky shtetas nuk e kishte deklaruar. Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të 34-vjeçarit. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Në kuadër të operacionit të koduar “Tamponi”, u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të shtetasit E. K., 41 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, “Falsifikimi vulave dhe stampave dhe formularëve dhe “Prodhim i mjeteve për falsifikimin e dokumenteve”. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e PKK Qafë-Thanë në tentativë për të dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. P, 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë narkotike kokainë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve H. D., 41 vjeç dhe K. P., 21 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 84 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 13 janë arrestuar në flagrancë dhe 66 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 1 autor të ndaluar, 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 5 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Durrës, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 3 të shpallur në kërkim; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Vlorë dhe 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Korçë, me 3 autorë të shpallur në kërkim.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 2 në Fier, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, në Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 14 raste, 6 në Tiranë, 2 në Durrës, 2 në Elbasan, 2 në Vlorë, 1 në Dibër dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mashtrimi”, 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, 2 në Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 4 raste të “Shkatërrimi i pronës”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Korë, 2 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i prerjes së paligjshme të pyjeve, në Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 6 persona që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.