DVP Vlorë – Merrnin materiale nga shtrati i lumit Shushicë, pa leje nga organet kompetente, procedohen penalisht 2 administratorë firmash

Merrnin materiale nga shtrati i lumit Shushicë, pa leje nga organet kompetente, procedohen penalisht 2 administratorë firmash.

Procedohet penalisht dhe një shtetas tjetër, për shpërdorim detyre.

Në kuadër të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, në vijim të kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit, në lumin Shushicë janë konstatuar disa automjete që po gërmonin shtratin e këtij lumi. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko Financiare kanë proceduar penalisht shtetasit:

F. H., 58 vjeç, banues në Vlorë dhe V. D., 39 vjeç banues në fshatin Bunavi, Vlorë.

Këta shtetas u proceduan pasi në vendin e quajtur “Kthesa e Picarit”, në shtratit e lumit Shushicë, u konstatuan disa automjete të rënda të dy firmave të ndryshme të administruara prej tyre, duke marrë materiale inerte (zhavorr) pa lejet përkatëse mjedisore, me qëllim tregtimin e tyre pa dokumentacionin tatimor përkatës.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, shtetasi A. H., 47 vjeç, me detyrë inspektor i IKMT Vlorë, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontrolle të vazhdueshme për monitorimin e territorit.

Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.