Kakavijë – Goditet një rast i kontrabandës me medikamente mjekësore

Goditet një rast i kontrabandës me medikamente mjekësore.

Sekuestrohet një sasi e konsiderueshme ilaçesh të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës.

Arrestohet në flagrancë poseduesi.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë përzgjedhur për kontroll të detajuar një mjet kamion që drejtohej nga shtetasi D. K.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe shërbimet e Frontex-it, gjetën të fshehura në kabinën e kamionit 4 qese, brenda të cilave kishte medikamente mjekësore (ilaçe) me vlerë totale 2 200 euro, të pa shoqëruara me dokumentacionin përkatës.

Pas veprimeve të kryera hetimore, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin D. K, 30 vjeç, banues në Fier.

Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuar”.