Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tropojë, Kukës – Arrestohet në flagrancë sipërmarrësi i punimeve të një ndërtimi që kryhej pa leje brenda vijës së verdhë. Shpallet në kërkim pronari i truallit, i cili kishte porositur ndërtimin. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë gjatë kontrollit të territorit në qytetin e Bajram Currit, kanë konstatuar se brenda vijës së verdhë po kryhej një ndërtim pa leje. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”, i shtetasit A. M., 46 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Senec-Kosovë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në vendin e quajtur “Ish-parku”, lagjja Dardania, në qytetin “Bajram Curri”, u konstatua duke punuar në një objekt në ndërtim, i papajisur me leje ndërtimi nga autoritetet kompentente. Ky shtetas ishte në rolin e sipërmarrësit për kryerjen e punimeve dhe ndërtimi ishte brenda vijës së verdhë të qytetit të Bajram Currit. Nga verifikimet e kryera rezultoi se trualli i ndërtimit rezultonte me certifikatë pronësie në emër të shtetasit F. J., i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”, në ngarkim të shtetasit A. M., dhe për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, në ngarkim të shtetasit F. J.
Mirditë, Lezhë – Shërbimet e Policisë, kontrolle të shtuara në të gjithë qarkun Lezhë, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit, arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Gjithashtu, goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, vihet në pranga 1 shtetas. Shërbimet e Policisë Mirditë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit, në Rubik, Mirditë. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin P. Gj., 30 vjeç, banues në Ungrej, Lezhë, pasi është kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojë bimë narkotike cannabis sativa në vendin e quajtur “Përroi i Nërshenës”, në Rubik, Mirditë. Shërbimet e Policisë Lezhë kishin siguruar informacione në rrugë operative, për një shtetas që shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla, në Shëngjin, Lezhë. Pas lokalizimit dhe ndalimit, gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 17 doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa dhe një sasi lekësh të dyshuar të përftuar nga ky aktivitet kriminal. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. D., 22 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Krujë – Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Kontrollet po zhvillohen në territor, në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike apo armëmbajtje pa leje. Si rezultat i kontrolleve është vënë në pranga shtetasi P. K., banues në Fushë Krujë, pasi gjatë kontrollit në oborrin e banesës së tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur disa fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Po si rezultat i kontrolleve në territor, në fshatin Brret, Krujë, në një zonë të pyllëzuar, janë gjetur të kultivuar fidanë cannabis sativa. Gjithashtu, nga kontrolli në territor, në një fuçi metalike janë gjetur të fshehura dy armë zjarri, konkretisht 1 automatik dhe 1 pushkë. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë fshehur armët dhe të autorëve të kultivimit të fidanëve narkotikë. Shërbimet policore po vijojnë pa ndërprerë kontrollin e territorit dhe të vendeve të dyshuara, me qëllim kapjen e personave që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike ose armëmbajtjes pa leje.
DVP Dibër – U konfliktuan dhe më pas goditen me sende të forta dy shtetas, identifikohen dhe shpallen në kërkim policor 3 autorët e dyshuar të ngjarjes. Evidentohen dhe goditen 2 raste të “Prerjes së paligjshme të pyjeve”, procedohen penalisht autorët. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër kanë shpallur në kërkim policor tre shtetas, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Kanosja”, konkretisht: L. T; D. T; A. B., banues në Dibër. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin në qytetin e Peshkopisë, pas një konflikti për motive të dobëta kanë kanosur dhe goditur me sende të forta shtetasit U. A., 39 vjeç, dhe K. S., 27 vjeç, banues në Dibër. Vijon puna për lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e tyre. Ka filluar procedimi penal për shtetasit E. D., 28 vjeç, dhe E. M., 35 vjeç, banues në Dibër, pasi janë konstatuar duke prerë lëndë drusore në mënyrë të paligjshme dhe pa dokumentacion përkatës. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Durrës – Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin E. P., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin XH. M., 28 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur, është përplasur me mjetin që drejtohej nga shtetasja J. M. Si pasojë është dëmtuar shtetasja J. M., e cila pasi mori mjekim në spital u largua për në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Vihen në pranga 5 drejtues mjetesh. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: J. B., 19 vjeç, pasi ditën e djeshme në rrugën “Xhanfize Keko”, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen Xh. G., 24 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; V. U., 50 vjeç dhe N. P., 58 vjeç, pasi janë kapur duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; F. V., 23 vjeç, pasi ditën e djeshme, në Kashar, ka aksidentuar biçiklistin e mitur të moshës 9 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; F. Rr., 29 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin ka aksidentuar duke u larguar nga vendngjarje mjetin taksi me drejtues I. M. Si pasojë është dëmtuar pasagjerja në mjetin taksi, shtetasja E. A., e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 1 është ndaluar, 15 janë arrestuar në flagrancë dhe 63 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Dibër, ku autorët janë shpallur në kërkim; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.; 1 në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 12 raste, 4 në Tiranë, 6 në Durrës, 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Kukës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Kukës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Në Vlorë është proceduar penalisht edhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.
Janë evidentuar 5 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 4 në Korçë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”, 1 për “Kanosja për shkak të detyrës” dhe 1 për “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.
Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Prishja e qetësisë publike”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, në Elbasan.
Në Lezhë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Në Korçë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 raste aksidentesh, me 2 persona që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 10 drejtues mjetesh , për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.