Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 8 qershor 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Berat – Kanosi me armë zjarri një shtetas, vihet në pranga 47-vjeçari. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi i shtetasit V. Ç., 47 vjeç, banues në Samaticë, Dimal. Arrestimi i tij u bë pasi, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin J. C., 27 vjeç, banues në Samaticë, Dimal, e ka kanosur atë duke gjuajtur me armë zjarri në ajër. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi R. C., 33 vjeç (vëllai i J. C.), pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Moskallëzim krimi”.  Kuçovë – Nga specialistët e Seksionit për Krimet filloi procedimi penal për shtetasit R. S., A. Sh., P. S., N. Ll., G. S., M. Ll., I. Sh., B. Sh., B. S., R. Sh., I. Sh., F. S., N. Ll., D. S., G. Ll., të gjithë banues në Lumas, Kuçovë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë grumbulluar në fshatin Lumas duke manifestuar në mënyrë të paligjshme, kanë bllokuar rrugën, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, duke i penguar dhe kundërshtuar në përmbushjen e detyrave të tyre në mbështetje të Bashkisë Kuçovë, për realizimin e investimit për ujësjellësin në fshatin Lumas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Përmet – Ndalohet një tjetër shtetas në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Përmet, ku një 63-vjeçari i vodhën një shumë parash në banesën e tij. Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Përmet, ku një 63-vjeçari i vodhën 75 000 euro në banesën e tij, ngjarje për të cilën u ndalua si autore e dyshuar shtetasja O. Sh. dhe u shpall në kërkim shtetasi P. P., Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet ka lëshuar urdhrin e ndalimit për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Përmet, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim. Në zbatim të urdhrit të Prokurorisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet ndaluan shtetasin E. P., i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë vjedhje. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 aparate celularë dhe disa fishekë luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, për veprime të mëtejshme.

Port, Durrës – Vihen në pranga 2 shtetas, pasi në PKK Durrës iu gjetën leje drejtimi, leje qëndrimi dhe karta shëndeti të dyshuara të falsifikuara. Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit Sh. L., 50 vjeç, banues në Kavajë dhe A. B., 36 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit të mjetit autobus tip “Kinglong” me drejtues shtetasin A. B. dhe menaxher shtetasin Sh. L., kanë gjetur 2 leje qëndrimi rumune, 2 leje drejtimi rumune dhe 2 karta shëndeti rumune të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, gjatë kontrollit iu gjetën edhe dy pasaporta shqiptare që rezultojnë se personat që i posedojnë këto pasaporta janë në Itali. Dy shtetasit e arrestuar dyshohet se i kishin marrë pasaportat për t’i vulosur në Shqipëri, me qëllim që poseduesit e tyre të mos penalizoheshin për shkeljen e afatit 90-ditor në zonën Schengen.     Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.

DVP Vlorë – Procedohen penalisht 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Himarë, në vijim të punës për kontrollin e territorit, për zënien e hapësirave publike dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, kanë proceduar penalisht shtetasit: E. H., pasi është konstatuar se kishte zënë hapësirën publike në Jalë, duke vendosur një strukturë prej druri, pa lejen e organeve përkatëse; TH. D., pasi është konstatuar se ishte duke ndërtuar në një objekt ekzistues në Dhërmi, pa lejen e organeve përkatëse; M. M., pasi është konstatuar se ishte duke ndërtuar një strukturë prej hekuri në Dhërmi, pa lejen e organeve përkatëse. Po nga specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Himarë u procedua penalisht shtetasi A. M., 50 vjeç, pasi ka bërë kallëzim një shtetas i mitur 15 vjeç, se ka kryer veprime të turpshme kundrejt tij. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: H. L., 23 vjeç dhe L. B., 26 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetet përkatëse me të cilat këta shtetas qarkullonin, Forca e Posaçme “Shqiponjat” gjeti dhe sekuestroi një sasi me lëndë narkotike kanabis. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 28 vjeç, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish të dashurës. Gjithashtu dyshohet se ky shtetas i ka kërkuar një shumë parash ish të dashurës së tij, në mënyrë që të vazhdonin lidhjen. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. A., 28 vjeç, pasi dyshohet se i ka marrë me forcë një aparat celular një shtetaseje. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. C., 29 vjeç, R. M., 60 vjeç dhe V. K., 40 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; B. Gj., 19 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse ka aksidentuar biçiklistin e mitur rreth 11 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Më datë 07.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve të mitur të moshave 13 vjeç dhe 15 vjeç, sepse në rrugën “Llazi Miho”, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë vjedhur një shumë parash në librarinë në pronësi të shtetases M. Sh, si dhe në rrugën “Llambi Bonata”, kanë vjedhur një shumë parash në dyqanin në pronësi të shtetasit E. M. Më datë 07.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shtetasit E. B., 28 vjeç dhe E. B., 29 vjeç, pasi ditën e djeshme në rrugën “Teodor Keko”, në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë goditur me mjet prerës shtetasin F. D., 39 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Më datë 07.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shtetasin N. T., 55 vjeç, sepse në Shishtufinë, dyshohet se ka kryer veprime të turpshme me  një shtetase të mitur. Më datë 08.06.2021, shtetasja T. S., 21 vjeçe, kallëzon se në rrugën “Hamdi Sina”, në zonën e Liqenit të “Thatë”, i kanë vjedhur mjetin të cilin e kishte në përdorim. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Stacioni i Policisë Memaliaj – Më datë 07.06.2021, rreth orës 09:00, në një rrugë rurale në Memaliaj, gjatë lëvizjes është djegur plotësisht mjeti i garave të Rellit tip “Mitsubishi”, në pronësi të shtetasit Ë. A., 50 vjeç. Nga veprimet e kryera rezulton se zjarri është aksidental, për shkak të një defekti teknik.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 72 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 4 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Berat, ku autori ëshët arrestuar në flagrancë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 3 në Tiranë dhe 1 në Korcë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Korcë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 19 raste, 5 raste në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë; 13 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 7 raste në të gjithë vendin, 1 Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

 Është evidentuar 1 raste i veprës penale “Mashtrimi”, në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 rast për të cilin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 8 persona që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.