Durrës – Policia zbardh në kohë rekord vjedhjen me dhunë të kryer ditën e djeshme në një karburant në autostradën Tiranë – Durrës, vihen në pranga 2 shtetas

Policia zbardh në kohë rekord vjedhjen me dhunë të kryer ditën e djeshme në një karburant në autostradën Tiranë – Durrës.

Vihet në pranga menaxheri i firmës, i cili kishte simuluar ngjarjen me qëllim justifikimin e shumave të mëdha të parave të xhirove ditore që i kishte humbur duke luajtur lojëra fati.

Gjithashtu vihet në pranga edhe pronari i lokalit që ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ku menaxheri i karburantit kishte humbur lekët duke luajtur lojëra fati.

Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Durrës, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 06.06.2021, në një karburant, ku u vodh me dhunë një shumë e madhe parash, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpjeta hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, brenda një kohe të shkurtër u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes.

Në bazë të provave të grumbulluara u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. F., 23 vjeç dhe A. H., 22 vjeç.

Nga hetimet e kryera dhe mbledhja e të gjitha provave procedurale është konstatuar se në momentin e vjedhjes një person i maskuar ka zbritur nga një mjet dhe i ka vjedhur me dhunë xhiron ditore shtetasit G. F., 23 vjeç, menaxheri i kompanisë.

Në vijim të hetimeve ka rezultuar se shtetasi G. F., për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi. Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, ky shtetas e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e shtetasit A. H., i cili ka përfituar shuma të mëdha parash nga shtetasi G. F.

Menaxheri i firmës, shtetasi G. F. dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë borxhet që ka patur në loto.

Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” në ngarkim të shtetasit G. F., dhe “Organizimi i lotarive të palejuara” në ngarkim të shtetasit A. H.