Pas videos së publikuar në emisionin investigativ “Stop” në mbrëmjen e datës 3 qershor 2021, të dy rasteve korruptive të kryer nga dy mjek në Spitalin Rajonal Fier, strukturat e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me Task Forcën e Prokurorisë Fier, morën masa të menjëhershme policore e procedurale me qëllim, identifikimin dhe shoqërimin e tyre si edhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë korruptive të dy mjekëve.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i shtetasve A. S., 54 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek psikiatër pranë Spitalit Rajonal Fier dhe E. Sh., 47 vjeç, banues në Kuçovë, me detyrë mjek ORL pranë Spitalit Rajonal Fier.
Këta shtetas, në data të ndryshme gjatë ushtrimit të funksionit iu kanë marrë një sasi lekësh qytetarëve të ndryshëm që shkonin për vizita mjekësore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për hetime të mëtejshme.
—————————————————
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasin B. G., 27 vjeç, banues në Fier, pasi në vendin e quajtur “Vija e ngjalës” gjatë kontrollit të mjetit tip “Benz” me të cilin ky shtetas udhëtonte, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 15 doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.
—————————————————
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i rrugëve” shtetasin L. P., 52 vjeç, banues në Roskovec, pasi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke drejtuar automjetin me një rimorkiator mbi të cilin kishte ngarkuar një skrep, ka kaluar në urën e rrugës automobilistike Fier-Darzezë jashtë tonazhit të parashikuar në tabelën sinjalistike, duke e shembur urën.