Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Trinomi”, i zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier. Operacioni i nisur që në tetor 2020, nga strukturat e Hetimit Kundër Narkotikëve në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Goditet një grup kriminal që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Grupi e ushtronte këtë veprimtari kriminale në Durrës, Lushnjë dhe Tiranë. Kapen dhe vihen në pranga 2 nga pjesëtarët e këtij grupi dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre, i cili gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë nuk u gjend në banesë. Në vitin 2020, në nisjen e operacionit u arrestuan në flagrancë edhe 2 prej pjestarëve të tjerë të këtij grupi. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët e DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një pune hetimore disamujore kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Trinomi”. Në kuadër të procedimit penal të vitit 2020, për vepren penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i urdhrave të ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria Durrës, në ngarkim të dy shtetasve të tjerë: K. T., 26 vjeç dhe S. T., 20 vjeç, banues në Lushnjë. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit L. S., banues në Lushnjë. Në nisje të procedimit penal në tetor 2020, nga ana e specialistëve për Narkotikët në DVP Durrës u arrestuan në flagrancë shtetasit M. R. dhe J.B., banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur ” Mbikalimi i Plepave”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin M. R. dhe pasagjer shtetasin J. B., në bagazh është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Nga hetimet disamujore të kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike me klientë të ndryshëm në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe Lushnjës. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Kuçovë – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas i dyshuar si autorë i tentativës për kultivim të cannabis sativa. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe në vijim të kontrollit të territorit, kanë evidentuar në fshatin Frashër, Kuçovë kubikë të kultivuara me fara të dyshuara cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin R.B., 24 vjeç, banues në fshatin Gegë, Kuçovë, pasi pranë tokave të tij u gjetën kubikë të kultivuara me fara dyshuara cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme. Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kuçovë filloi proçedimi penal për shtetasit: A. Sh., 74 vjeç, R. S., 67 vjeç, A. S., 36 vjeç, R. Sh., 56 vjeç, S. G., 41 vjeç, Sh. S., 69 vjeç, banues në fshatin Lumas, Kuçovë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë penguar punonjësit e Policisë së Shtetit në përmbushje të detyrës së tyre, në mbështetje të kërkesës së Bashkisë Kuçovë për realizimin e investimit për ujësjellësin në fshatin Lumas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjëshme”,” Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Himarë – Shpërdoruan detyrën duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve, vihen në pranga 2 shtetas, 2 të tjerë shpallen në kërkim. Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, pas një pune intensive hetimore disajavore, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, bëri ndalimin e shtetasve R. H., 35 vjeç, banues në Himarë, me detyrë kryeinspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë; E. Z., 30 vjeç, banues në Himarë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë. Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasve M. N., 36 vjeç banues në Sarandë dhe Dh. B., 53 vjeç, banues në Himarë, të dy me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Himarë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka urdhëruar ndalimin e këtyre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e paligjshëm të disa objekteve në territorin e Bashkisë Himarë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Divjakë – Plagosi me mjet prerës një shtetas, kapet dhe arrestohet nga Policia autori i ngjarjes. Në datë 21.05.2021, rreth orës 22:35 njoftohemi se në fshatin Grabian, Divjakë, është plagosur me mjet prerës një shtetas. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë organizuan punën dhe bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe prangosjen e autorit. Në fshatin Grabian, shtetasi S. J., pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin S. Q., 28 vjeç, banues në Grabian, i cili ndodhet në spitalin e Lushnjes nën kujdesin e mjekëve. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” shtetasin S. J., 31 vjeç, banues në Grabian, Divjakë. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme. /Fier – Goditi mjekun për shkak të detyrës, vihet në pranga 32-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 32 vjeç, banues në Fier, pasi në Spitalin Rajonal Fier, në pavionin e patologjisë, ka ushtruar dhunë fizike gjatë ushtrimit të detyrës, ndaj mjekut shtetasit E. H., 38 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Tiranë – Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë. Arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 37-vjeçari i dënuar me 10 vite e 5 muaj e 11 ditë burgim, për veprat penale “Mbajtje dhe shitje e sendeve të vjedhura”, “Prodhimi dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Vjedhje”. Specialistët për Hetimin në Komisariatin e Policisë Nr.3 në bashkëpunim me Sektorin e Narkotikëve në DVP Tiranë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, bënë të mundur arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasit Arsen Daci alias Flakton Daci, 37 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Torinos/ Itali e ka dënuar me 10 vite e 5 muaj e 11 ditë burgim, për veprat penale “Mbajtje dhe shitje e sendeve të vjedhura”, “Prodhimi dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Vjedhje”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
Vlorë – Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Karaburuni”, për goditjen e një tentative për trafikim të lëndëve narkotike drejt Italisë. Operacioni nga Shërbimet e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Delta Forcë, Guardia di Finanza, Policinë Kufitare Vlorë dhe QNOD. Vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen 577 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një mjet lundrues gomone. Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit të territorit dhe koordinimit të veprimeve me QNOD, për kontrollin e hapësirës detare, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për bllokimin e një mjeti lundrues që dyshohej se kishte lëndë narkotike në bord. Ndjekja nga deti dhe toka zgjati disa orë. Në vendin e quajtur “Gjiri i Dafinës”, pranë Karaburunit, personat që ishin në bord, në pamundësi për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, tentuan të braktisnin mjetin lundrues dhe të largoheshin, por u kapën dhe u prangosën gjatë ndjekjes nga Policia. Shërbimet policore kanë sekuestruar mjetin lundrues gomone, në bordin e të cilës u gjetën dhe u sekuestruan 577 kg lëndë narkotike, një pjesë në formë çokollate. Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasve M. B., 43 vjeç, H. M., 27 vjeç dhe Ë. M., 34 vjeç, banues në Vlorë, të dyshuarit si trafikues të lëndës narkotike. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tentativës për trafikim të lëndës narkotike, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Fier – Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e një konflikti për motive pronësie. Sekuestrohen një armë zjarri automatik dhe municion luftarak, vihet në pranga poseduesi i tyre. Pas marrjes së njoftimit së në fshatin Kashisht, Fier, po ndodhte një konflikt për motive pronësie mes dy shtetasve dhe se njëri prej tyre dispononte dhe armë zjarri dhe si pasojë konflikti mund të përshkallëzohej në përdorimin e armëve të zjarrit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë. Shërbimet e Policisë kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit duke bërë shoqërimin në Komisariat të dy palëve të përfshira në konflikt, shtetasin Z. Rr dhe J. K. Gjithashtu, bazuar mbi informacionet e marra se shtetasi Z. Rr. kishte fshehur një armë zjarri në afërsi të vendit ku kishte ndodhur konflikti, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll dhe si rezultat kanë gjetur e sekuestruar një armë zjarri automatik dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se i përkasin shtetasit Z. Rr. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Z. Rr., 55 vjeç, banues në Kashisht, Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Lezhë – Zbardhet ngjarja e ndodhur në Spiten, Lezhë, ku 2 shtetas vodhën me dhunë në banesën e një çifti bashkëshortësh. Identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri prej autorëve. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur gjatë orëve të para të datës 24.05.2021, në Spiten, Lezhë, ku 2 shtetas i vodhën me dhunë një sasi lekësh dhe 2 aparate celularë shtetasve Gj. D., 57 vjeç dhe V. D., 47 vjeçe, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasi P. D.,23 vjeç, banues në Spiten, Lezhë. Nga ana e Policisë vijon puna ndalimin e 23-vjeçarit P. D. dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të dyshuar si i implikuar në këtë ngjarje, me qëllim vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim.
Qarku Korçë – Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. R., 61 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas, u kap nga shërbimet e policisë, në aksin rrugor Korçë-Vithkuq, pranë kryqëzimit të fshatit Lubonjë, duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz”, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi, 8 m sterë dru zjarri pa dokumentacionin përkatës, sasi e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. B., 28 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve A. B., 23 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq, E. L., 23 vjeç dhe E. L., 22 vjeç, banues në fshatin Grunjas, Pogradec. Këta shtetas, në fshatin Dërdushë, Pogradec, janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta dhe gjatë konfliktit shtetasi F. B., ka goditur me mjet të fortë në kokë 23-vjeçarin E. L., i cili pas mjekimit të marrë në Spital është larguar në banesë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprat penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 235 shtetas, konkretisht: 19 janë ndaluar, 42 janë arrestuar në flagrancë dhe 174 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 25 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”; 10 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 raste të “Vrasja” mbetur në tentativë, 1 rast me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë të shpallur në kërkim, dhe 1 rast ku po punohet për identifikim dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 26 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 35 raste: 12 raste me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 23 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 25 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, me 3 autorë që procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 raste i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 2 raste me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste të për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, me 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përndjekja”, ndërsa 1 tjetër është ndaluar për veprën penale “Vepra të turpshme”.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Pushtim toke”, 1 për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe 1 për “Prishja e qetësisë publike”.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Janë ndaluar 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë arrestuar në flagrancë 19 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 21 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 18 aksidente, me 1 viktimë dhe 22 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.