Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 21 maj 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17.08.2020, në afërsi të stadiumit në Patos, ku pesë shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar ta rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin K. S., i cili ka mbetur i plagosur, pas informacioneve të mara në rrugë policore dhe veprimeve operacionale, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i një prej personave të shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim V. S., 47 vjeç, banues në Patos. Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 03.09.2020, ka vendosur për këtë shtetas masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

DVP Lezhë – Vijon kontrolli masiv i territorit nga shërbimet e Policisë, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit. Arrestohet në flagrancë 21-vjeçari. Shërbimet e Policisë Mirditë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të kanabisit, në fshatin Sheshaj, Mirditë. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin F. P., 21 vjeç, banues në Tale, Lezhë. Arrestimi i tij u bë pasi është kapur në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kultivojë bimë narkotike cannabis sativa në vendin e quajtur “Përroi i Shlorit”, Sheshaj, Mirditë. Nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Vlorë – Plagosi me mjet prerës një 17-vjeçar, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i ngjarjes. Vihen në pranga dhe 2 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. Sh., 20 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas dyshohet se paraditen e djeshme, në një lokal në lagjen “24 Maji”, pas një konflikti të çastit ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin e mitur A. L., 17 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. B., 26 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se në datën 30.04.2021, ka tentuar të vjedhë në banesën e shtetasit P. S, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit për shtetasin në kërkim M. H., 42 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 18.04.2021, i ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprën penale ‘’Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Finalizohet operacioni policor “Last Coffee”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni i zhvilluar nga DVP Durrës, në bashkëpunim me Fast Albania dhe Interpol Tirana. Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 45-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me agjentët e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Durrës, Fast Albania dhe Interpol Tirana, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last Coffee”, në kuadër të të cilit u bë i mundur lokalizimi në një kafene në lagjen nr. 16, Durrës, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit Sokol Tatani (Isteri), 45 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Pizës/Itali e ka dënuar me 9 vite burg për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, si dhe autoritetet gjyqësore në Bari/Itali kanë lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar. Ky shtetas dyshohet se gjatë viteve 2001 dhe 2002 ka trafikuar sasi të ndryshme heroine nga Shqipëria për në Itali. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Shkodër – U kapën duke qarkulluar më lëndë narkotike në automjet, arrestohen në flagrancë 3 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.  Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vau i Dejës, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. I. 24 vjeç, Ll. L., 18 vjeç, A. I., 20 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. D., 16 vjeç, të gjithë banues në fshatin Mabë, Lezhë. Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa shtetas po qarkullonin me lëndë narkotike në automjet, kanë organizuar punën dhe në fshatin Paqram, Njësia Administrative Hajmel, kanë lokalizuar dhe ndalur mjetin e dyshuar. Gjatë kontrollit në mjetin me drejtues shtetasin A. I. dhe pasagjerë shtetasit Ll. L., A. I. dhe A. D., kanë gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 4 aparate celular. Materialet iu referuan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Elbasan – Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u bë ndalimi i shtetasit T. T., 61 vjeç, banues në fshatin Gjinar, Elbasan, pasi në mënyrë të përsëritur ka kryer ndërtime pa leje në pronën e shtetasit P. T. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasin A. B., 58 vjeç, banues në Elbasan, pasi për një periudhë të gjatë kohe ka përndjekur një shtetase të mitur 17-vjeçare. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 15 janë arrestuar në flagrancë dhe 53 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste:3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1“Plagosja e lehtë me dashje, në Dibër, ku po punohet për kapjen e autorit; 1 rast i “Plagosja e rënde me dashje”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 2 në Vlorë, me 1 autor të arresrtar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 8 për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 13 raste në të gjithë vendin, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Dhunimi i banesës”, ndërsa 1 tjetër është proceduar për “Fshehja e të ardhurave”.

Në Fier është proceduar penalisht 1 shtetas, për falsifikim.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 5 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.