Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F. D., 18 vjeç, pasi në rrugën “Fadil Deliu”, Forca e Posaçme “Shigjetat”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin qarkullonte gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë të dyshuar kokainë. Pas verifikimeve të bëra nga shërbimet e Policisë rezultoi se ky shtetas drejtonte mjetin pa lejen përkatëse.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditje për shkak të detyrës”, i shtetasit E. P., 37 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shtetasit M. M., 31 vjeç, A. G., 26 vjeç, A. Xh., 26 vjeç, sepse më datë 19.05.2021, tek stadiumi “Dinamo”, shtetasi E. P ka kundërshtuar me dhunë dhe ka goditur punonjësin e policisë së Qarkullimit Rrugor, ndërsa 3 shtetasit e tjerë e kanë kundërshtuar dhe kanosur me fjalë punonjësin e policisë.
Në vijim të informacionit i cili bën fjalë për “Largim nga banesa”, mbrëmjen e djeshme u gjet shtetasi I. D., 25 vjeç, i cili deklaroi se ishte larguar me dëshirën e tij dhe nuk ka patur probleme.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.