Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 14 maj 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Vlorë – Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. Z., 56 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka bërë kallëzim një shtetase e mitur 14 vjeçe se ky shtetas e ka ngacmuar seksualisht. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin J. Sh., 29 vjeç, banues në Kukës, pasi në lagjen nr. 1, Sarandë, u konstatua nga shërbimet duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Berat – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Procedohet penalisht 1 shtetas tjetër, për veprat penale “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve F. M., 26 vjeç, banues në Poliçan dhe L. B., 24 vjeç, Kuçovë, pasi u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetet përkatëse pa leje drejtimi; S. F., 42 vjeç, banues në Kuçovë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik kanë proceduar penalisht, për veprat penale “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasin B. L., 46 vjeç, banues në Berat, pasi u kap në flagrancë, në vendin e quajtur “Xhenio”, me një mjet tip kamion të ngarkuar me pllaka guri dekorativ të pa shoqëruar me dokumentacionin përkatës. Gjithashtu, ky shtetas kishte punësuar në mënyrë të paligjshme një punonjës. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: E. K., 34 vjeç, pasi në Rrugën e Kavajës, nga kontrolli fizik i ushtruar nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë narkotike kanabis; A. G., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte, Forca e Posaçme “Shqiponjat” gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike kokainë. Nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Kompjuterik, në bashkëpunim me Seksionin e Kërkimit u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim I. P., 27 vjeç, pasi Gjykata e Apelit Tiranë i ka vendosur caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Falsifikimi kompjuterik”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. S., 26 vjeç, pasi në Rrugën e Dibrës, gjatë një konflikti, ka kanosur me një shufër hekuri shtetasin M. B. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. Sh., 50 vjeç dhe Xh. D., 53 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. •Më datë 13.05.2021, shtetasja A. M., 43 vjeçe ka kallëzuar se në rrugën “Muhamet Deliu”, në banesë i kanë vjedhur disa sende me vlerë dhe një shumë parash. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.•Më datë 13.05.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit në kërkim R. M., 34 vjeç, pasi në rrugën “Manhatan”, Kamëz, për motive të dobëta, ka goditur me grusht dhe i ka marr një shumë parash shtetasit E. L., 29 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh  Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. S., 46 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases A. S., 47 vjeçe. Gjithashtu, është ndaluar shtetasi F. L., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase 36-vjeçare. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 47 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 12 janë arrestuar në flagrancë dhe 33 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje, në Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 autor të shpallur në kërkim; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 5 raste, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për shkatërrim prone, ndërsa 1 tjetër është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Në Berat janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 për “Fshehja e të ardhurave”, 1 për “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 1 për “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.

Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Durrës është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 8 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.