DVP Dibër – U konfliktuan dhe më pas goditën me sende të forta një 31-vjeçar, identifikohen dhe shpallen në kërkim policor 3 shtetas

Mat – U konfliktuan dhe më pas goditen me sende të forta një 31-vjeçar, identifikohen dhe shpallen në kërkim policor 3 shtetas.

Në orët e mbrëmjes në qytetin e Burrelit, shërbimet e Policisë kanë marrë informacion se po ndodhte një konflikt mes disa personave. Menjëherë është shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se shtetasi A. A., 31-vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta është goditur me sende të forta nga tre persona të tjerë, të cilët pas mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes, duke përfituar dhe nga errësira janë larguar.

Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim tre autorët e dyshuar të ngjarjes për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, konkretisht shtetasit: E.B.(H), S. H. dhe A. SH, banues në Burrel.

Vijon puna për lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e tyre.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër, filloi procedimi penal për shtetasin D. S., 61 vjeç, banues në Dibër, pasi është konstatuar duke ushtruar aktivitetin e tij në kushte të pa përshtatshme higjienike dhe pa e regjistruar në organet tatimore.  Veprat  penale  “Mashtrimi me produktet ushqimore“ dhe “Ushtrimi i aktivitetit pa qenë i regjistruar pranë organeve tatimore”.

Në vijim të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, ku në një galeri në Batër të zonës Martanesh, mbetën të asfiksuar  disa punëtorë, në përfundim të veprimeve të para hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin SH. E., 53 vjeç, banues në Klos, për veprën penale “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lart përmendur i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.