Vijon puna nga strukturat policore, për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.
Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tirana, ka kapur dhe arrestuar, me qëllim ekstradimi, një shtetas italian të dënuar me 5 vite e 6 muaj burg.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas italian të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili dyshohej se fshihej në Tiranë, Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka organizuar punën për kapjen e tij.
Si rezultat, në Tiranë, Fast Albania kapi dhe arrestoi me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin italian Luigi Colosso, banues në Cosenza, Itali, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali.
Gjykata e Apelit në Trieste, Itali, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Ky shtetas dyshohet se në Tavagnacco, Itali, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në cilësinë e administratorit të shoqërie sh.p.k, ka deklaruar falimentimin duke keqpërdorur dhe fshehur shuma të mëdha në euro.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, po vijon proceduarat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.