Zbardhen dhe dokumentohen 2 vjedhje të dyqaneve celularë të ndodhura në qytetin e Peshkopisë dhe në Maqellarë.
Vihen në pranga dy nga autorët e dyshuar, shpallen në kërkim dy bashkëpunëtorë si dhe procedohen penalisht dy shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e vjedhjeve të pronës të ndodhura më parë, si dhe kapjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, kanë organizuar punën dhe si rezultat u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i dy vjedhjeve dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve :
A. Ll., 19 vjeç, M. P., 30 vjeç banues në Bulqizë.
U proceduan penalisht shtetasit K. V., 17 vjeç, K. H., 17 vjeç; si dhe u shpallën në kërkim policor shtetasit R. Xh., K. Sh., banues në Bulqizë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e lartëpërmendur në bashkëpunim me një tjetrin, në Maqellarë kanë vjedhur me thyerje një dyqan celularësh në pronësi të një 53-vjeçari, dhe më pas celularët e vjedhura i’a kanë dhënë për qëllime përfitimi shtetasit M. P., ku ky i fundit i ka fshehur, me qëllim mosgjetjen e tyre nga kontrolli i Policisë.
Po në vijim të hetimit, ka rezultuar se shtetasit e lartëpërmendur janë autorë dhe të vjedhjes së një dyqani celularësh në qytetin e Peshkopisë, ku kanë arritur të marrin disa celularë.
Janë sekuestruar nga Policia sendet e gjetura të vjedhura nga autorët dhe dy automjete me të cilët udhëtonin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.
Vijon puna intensive për dokumentimin e disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë ku dyshohet se janë të implikuar shtetasit e lartëpërmendur.