Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 07 maj 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Këlcyrë – Reagimi i menjëhershëm dhe profesional i Policisë parandalon një ngjarje të mundshme kriminale. Neutralizohet dhe prangoset 55-vjeçari, i cili me armë në dorë e fishek në fole gati për qitje ishte nisur drejt banesës së një shtetasi me të cilin ishte konfliktuar më parë për motive të dobëta. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, 55-vjeçari iu ka drejtuar armën punonjësve të Policisë, por falë ndërhyrjes profesionale është neutralizuar dhe prangosur. Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov dhe krehra me fishekë luftarak. Në qytetin e Këlcyrës, shtetasi S. A., në gjendje të dehur, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin A. S., ka shkuar në banesë ku ka marrë një armë zjarri dhe është drejtuar për në banesën e shtetasit A. S. Shërbimet e Policisë, si rezultat i kontrollit të territorit dhe informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas po qarkullonte me armë dhe mund të përfshihej në ngjarje kriminale, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm të territorit dhe si rezultat, në afërsi të qendrës së qytetit Këlcyrë, kanë konstatuar shtetasin S. A., i cili lëvizte më një armë zjarri kallashnikov me vete. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, shtetasi S. A. iu ka drejtuar punonjësve të Policisë, armën të cilën e kishte me fishekë në fole gati për qitje. Falë profesionalizmit të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i tij. Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik dhe 2 krehra me fishekë luftarak. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme.

Kurbin – Vijon kontrolli i pandërprerë i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë  kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Poligoni”. Sekuestrohen dy armë zjarri (automatik e pistoletë ) dhe municion luftarak. Vihen në pranga 3 shtetas, posedues të armëve të zjarrit dhe autorë të dyshuar të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të kontrollit masiv të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative së në Laç, Kurbin, në një banesë në afërsi të një poligoni kishte armë zjarri dhe i zoti i banesës kishte kultivuar kanabis në vazo lulesh, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Poligoni”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve V. R., 48 vjeç, V. R., 17 vjeç (babë dhe bir), banues në Kurbin dhe A. L., 17 vjeç, banues në Fushë Krujë (shok i 17-vjecarit V. R). Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në oborrin e banesës së shtetasit V. R., në Laç, u gjetën të kultivuar në vazo lulesh, disa fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë operacionit Policia ka gjetur dhe sekuestruar brenda banesës së shtetasit të lartpërmendur, një armë zjarri automatik, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Mat – Vijojnë kontrollet e imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i kontrolleve dhe bashkëpunimit me qytetarët evidentohet dhe goditet një rast i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Sekuestrohen 7 pajisje elektronike, procedohet penalisht pronari i lokalit. Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, është bërë e mundur që të evidentohet dhe goditet  një tjetër rast i  ushtrimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, dhe konkretisht shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në lokalin e shtetasit U. P., në qytetin e Burrelit, kanë gjetur  e sekuestruar 7 pajisje elektronike në gjendje pune,  ku dyshohej se ushtrohej aktivitet i kundërligjshëm i lojërave të fatit. Në përfundim të veprimeve hetimore nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat,  u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi U. P.,  30 vjeç, banues në Klos, për veprën  penale “Organizim i lotarive të palejuara”. Bulqizë/Nga Specialistët e Policisë Rrugore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit  I. Z., 65 vjeç, banues në Bulqizë, pasi u kap duke drejtuar automjetin e tij në gjendje të dehur në masën 0.83 mg/l. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur  i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër dhe Mat, për veprime të mëtejshme.

Fier – Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqeshin disa persona duke goditur me grushte bashkëmoshatarin e tyre, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë i mundur identifikimi dhe shoqërimi i 8 të rinjve të përfshirë në konflikt. Në përfundim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe filloi procedimi penal për shtetasit F. N., 19 vjeç, R. G., 20 vjeç, F. B., 18 vjeç, pasi në datë 06.05.2021, në orën 21:00, në lagjen  “Apollonia”, Fier, për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin J. S., 18 vjeç.

Shkodër – Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri. Qëlloi me armë zjarri në drejtim të banesës së një shtetaseje, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga autori i dyshuar. Sekuestrohet arma e zjarrit pushkë. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër, falë ndërhyrjes së shpejtë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit mes dy shtetasve, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. N., 17 vjeç banues në Bardhaj, Shkodër. Ky shtetas, pasi është konfliktuar me një 17-vjeçare, për shkak se në mënyrë të vazhdueshme ai hapte llogari false në rrjetet sociale, me të dhënat dhe fotot e saj, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës. Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë 17-vjeçarin dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij dhe ambientet përreth saj kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pushkë më të cilën dyshohet se ka qëlluar në drejtim të banesës. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike“, “Kanosja“, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Durrës – Më datë 06.05.2021, gjatë natës, në fshatin Borakaj, Shijak, është vjedhur një shumë parash në ambientet e kompanisë private në pronësi të shtetasit Sh. T., 53 vjeç. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 70 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje, 1 në Tiranë, ku autori është shpallu në kërkim, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 4 raste, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 1 në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 21 raste, me 25 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 raste ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 3 shtetas, 1 për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, 1 për “Mashtrimi” dhe 2 për “Vetëgjyqësia”.

Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Përndjekja”.

Në Vlorë janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për veprën penale “Pushtimi i tokë” dhe 1 për “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Kukës është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 raste aksidentesh, me 10 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 11 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.