I përjetshëm kujtimi dhe vepra e Dëshmorëve të Atdheut!
Në kuadër të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, për të përkujtuar dhe vlerësuar aktin sublim të punonjësve të Policisë të rënë në krye e për shkak të detyrës, në Akademinë e Sigurisë u zhvillua ceremonia përkujtimore, vendosja e kurorave me lule pranë Memorialit.
Në ceremoni morën pjesë zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, familjarët e të rënëve, drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit dhe kolegë të Dëshmorëve të Policisë.
Zv.ministrja e Brendshme Kuko, Drejtori i Përgjithshëm Veliu dhe 2 prej familjarëve të Dëshmorëve të Policisë kanë vendosur kurora me lule në Memorialin kushtuar Dëshmorëve të Policisë.
Kuko dhe Veliu gjatë fjalës së tyre kanë theksuar mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të dhënë nga Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe Qeveria Shqiptare, për familjet e Dëshmorëve të Policisë.
Fjorida Pashaj, vajza e njërit prej Dëshmorëve të Policisë, aktualisht punonjëse policie, ka vlerësuar mbështetjen e drejtuesve të Policisë dhe të kolegëve dhe në emër të të gjithë fëmijëve të Dëshmorëve, që aktualisht janë pjesë e Policisë ka premtuar se me përkushtimin e tyre në detyrë do bëjnë krenarë baballarët e tyre dhe gjithë Policinë e Shtetit.
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë ceremonisë përkujtimore për Dëshmorët e Policisë
E nderuar zëvendësministre e Brendshme znj. Kuko,
Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Policisë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Një ditë e veçantë si kjo, në nderim të Dëshmorëve të Atdheut, përmban emocione për ne dhe për gjithë shoqërinë. Ka disa momente në jetën e gjithsecilit prej nesh, kur ne duhet t’u përulemi me respekt atyre që dhanë jetën për të mbrojtur jetë, por dhe ndaj çdo punonjësi të përkushtuar për rritjen e sigurisë të qytetarëve dhe komunitetit.
Specifikat dhe shkalla e lartë e vështirësisë së detyrës, përballja shpeshherë me kriminalitetin e dhunshëm, si dhe situatat e cenimit të rendit e të sigurisë me të cilat jemi përballur, kanë sjellë humbjen e jetës së qindra punonjësve të Policisë së Shtetit.
Punonjësi i Policisë është mëshirimi i zbatimit të ligjit, që ushtron përgjegjësitë dhe kryen detyrat me ndershmëri, përkushtim e sakrificë dhe jo pak herë, deri në mbrojtje të jetës me jetë.
Është e vështirë të gjesh fjalët dhe shprehjet e duhura për të nderuar dhe lartësuar aktin më sublim të Dëshmorëve të Policisë.
Ndaj sot ne përulemi me respekt para çdo punonjësi policie të guximshëm, përulemi me nderim para familjeve të Dëshmorëve të Policisë që sakrifikuan gjithçka, duke u përballur me guxim me kriminelët.
Ne jemi plot krenari për aktin sublim të Dëshmorëve të Policisë, vepra e tyre na motivon për të bërë detyrën sa më mirë në shërbim të qytetarëve.
Unë kam besim se gjithçka që ruhet në këtë memorial, kushtuar Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, do të frymëzojnë brezat e rinj të Policisë, për të bërë më mirë detyrën, dhe mbarë qytetarët për të respektuar e përkrahur më shumë Policinë në misionin e saj të vështirë, por shumë fisnik.
Të nderuar pjesëmarrës,
Policia e Shtetit ka për mision zbatimin e ligjit, garantimin e rendit e të sigurisë publike dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve.
Detyra jonë është krijimi i një mjedisi sa më të sigurt, i cili do të sjellë përmirësimin e vazhdueshëm në cilësinë e jetës së qytetarëve, duke e bërë Shqipërinë një vend të dëshirueshëm për të punuar e jetuar.
Prandaj reformat strukturore, në burime njerëzore, masat e ndërmarra në vitet e fundit dhe ato që do të merren në vijim, kanë patur dhe do të kenë për qëllim të sjellin ndryshime të rëndësishme në koncept, filozofi dhe në performancën tonë, për të rritur ndjeshëm besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Ne tashmë jemi në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të këtyre reformave, duke u përqendruar në pasurinë më të rëndësishme të Policisë: tek punonjësit e saj.
Në Akademinë e Sigurisë, prej një muaji kanë nisur Kolegjin për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, 500 vajza e djem, mes tyre edhe fëmijë të dëshmorëve të Policisë. Ndër vite janë bërë pjesë e familjes sonë të madhe shumë nga fëmijët e dëshmorëve, sepse ata s’janë vetëm.
Dera e shtëpisë së Policisë ka qenë, është dhe do jetë përherë e hapur për qytetarët dhe për ju të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Atdheut. Ju nuk do jeni vetëm asnjëherë, por do keni përherë në krah gjithë Policinë dhe Ministrinë e Brendshme dhe në veçanti kujdesin e Qeverisë.
Të gjithë ne që mbajmë sot uniformën e Policisë së Shtetit jemi krenarë për Dëshmorët e Policisë. Ata nuk do harrohen kurrë, se kanë dy lapidare: një aty ku kanë rënë dhe një në zemrat tona. Emrat e 224 punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës janë skalitur në piedestalin e memories së historisë së Policisë së Shtetit dhe të kombit.
Shembulli i tyre na frymëzon dhe na motivon për të vazhduar më tej për të përmbushur misionin për të cilin ata u sakrifikuan, për të mbrojtur vlerat më të mira të një shoqërie demokratike, për të ofruar më shumë rend dhe siguri për qytetarët.
I përjetshëm kujtimi i tyre!