Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive qe rrjedhin nga aktiviteti kriminal. Finalizohet operacioni policor i koduar “Dërgesa”. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Vendoset sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 1.200.000 dollarë, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit. Nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi disamujor, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Dërgesa”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, datë 26.04.2021, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të shtetasit Y. D., 44 vjeç, aktualisht i arrestuar nga autoritetet e DEA-s (antidroga) në SHBA, pasi është i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine për në SHBA dhe Evropë. Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 1.200.000 dollarë, konkretisht: Një njësi tregtare me vlerë të përafërt rreth 1 milion dollarë; një shoqëri sh.p.k; 1 llogari bankare me vlerë rreth 206.000 dollarë. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.
Tiranë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Kapet dhe ndalohet një 33-vjeçar i dënuar me 7 vite burg, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar Elton Drapi, 33 vjeç, banues në Tiranë. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 7 vite burg, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Tiranë – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë ndalimin e shtetases A. Xh., 51 vjeçe, pasi në periudha të ndryshme kohore ka vjedhur shuma të ndryshme parash në banesën e shtetases F. Xh. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. I., 54 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.76 mg/l. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Korçë/Informacion paraprak – Më datë 28.04.2021, rreth orës 10:55, në lagjen nr. 14, Korçë, pas një konflikti të çastit, shtetasi Th. Th., rreth 17 vjeç, banues në Korçë, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasin K. L., rreth 23 vjeç, i cili u dërgua në Spitalin e Korçës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga ana e Policisë po kryhen veprimet procedurale dhe po punohet për kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Vlorë – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Policia vë në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin S. L., 30 vjeç, banues Gjirokastër. Ndalimi i tij u bë pasi ky shtetas është autori i dyshuar i vjedhjes së një automjeti në vendin e quajtur “Mbikalimi i Novoselës”, në autostradën Vlorë-Fier, në datën 25.04.2021. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin SH. M., 46 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme. Sot, rreth orës 05:30, në lagjen Nr. 4, Sarandë, është gjetur pa shenja jete nga familjarët, në banesën e tij, shtetasi K. H., 44 vjeç, përdorues i lëndës narkotike. Nga veprimet paraprake dyshohet se vdekja është shkaktuar nga overdoza. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 48 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 4 janë arrestuar në flagrancë dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Kukës; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 17 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 11 raste, 3 në Tiranë dhe 8 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Punësim i paligjshëm”.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, ndërsa 1 tjetër është shpallur në kërkim për veprën penale “Përndjekja”.
Është proceduar penalisht 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 7 persona të lënduar, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.