Përfundoi në të gjitha DVP-të instruktazhi i punonjësve të policisë që janë të angazhuar në ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe ka nisur shpërndarja e tyre për në zonat e caktuara me shërbim .
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në programin e punës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit “Mbi garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë periudhës zgjedhore, në zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë, datë 25 Prill 2021, nga Drejtoritë Vendore të Policisë si dhe Komisariateve në varësi të tyre, janë marrë e po zbatohen të gjitha masat e duhura sipas procedurave standarte.
Secili punonjës policie është trajnuar si dhe është pajisur me librin e xhepit kujtesë dhe me dokumentin identifikues sipas numrit kodik të punonjësve që do të angazhohen me shërbime gjatë procesit zgjedhor.
Janë ngritur grupet e drejtimit në Komisariate dhe Grupet e Koordinimit në çdo DVP që do raportojnë në grupin e drejtimit dhe koordinimt në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe menaxhimin e çdo lloj situate bazuar në planin e veçantë të masave “Për menaxhimin policor të situatave të papritura gjatë procesit zgjedhor”.
Në çdo DVP dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur një grup pune i cili do raportojë në hartën digitale masat e marra për ruajtjen e objekteve zgjedhore duke pasqyruar për çdo qendër votimi, numrat e telefonit, të punonjësve të policisë me përgjegjësit e tyre. Kjo me qëllim që të kemi një komunikim real për çdo rast që punonjësit e policisë me shërbim do të kenë nevojë, t’i jepen orientime të shpejta që zgjidhjet të jenë vetëm në bazë dhe në zbatim të ligjit.
Të gjitha objektet zgjedhore janë të mbuluara me punonjës Policie dhe marrja në ruajtje e tyre fillon në momentin e mbërritjes së materialeve zgjedhore.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për krijimin e kushteve që qytetarët të votojnë të lirë dhe të qetë.