Thumanë, Krujë – Familja e Dëshmorit të Atdheut Shaqir Lleja bëhet me shtëpi të re, pas dëmtimit të banesës nga tërmeti

Thumanë, Krujë – Familja e Dëshmorit të Atdheut Shaqir Lleja bëhet me shtëpi të re, pas dëmtimit të banesës nga tërmeti.

Për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019, shumë familje mbetën të pastreha. Projekti suedez “Forcimi i Policimit në Komunitet”, në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze dhe Policinë e Shtetit, për të shprehur solidaritetin dhe për të ndihmuar familjet e dëmtuara të punonjësve të Policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës, vendosën të financonin ndërtimin e një shtëpie banimi për familjen me 5 anëtarë të Dëshmorit të Atdheut Shaqir Lleja, në fshatin Bushnesh të Thumanës.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të Ambasadës Suedeze dhe të programit SCPA. Në shenjë respekti për ndihmën e dhënë nga qeveria suedeze për familjen e Dëshmorit ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit më të lartë të Policisë së Shtetit në nivel qendror dhe vendor.

Znj. Linda Gjermani, në emër të qeverisë suedeze, i dorëzoi familjes Lleja çelësat e shtëpisë së re.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, në emër të Policisë së Shtetit, ka falënderuar zonjën Linda dhe përfaqësuesit e programit suedez për policimin në komunitet.

“Sot është ditë e veçantë jo vetëm për Pranverën, për Orgesin dhe familjen e tyre, por padyshim edhe për neve, për faktin sepse është një ditë e cila na mundëson që ne t’i ofrojmë disa momente të gëzuara dhe të veçanta siç është dorëzimi i shtëpisë së sotme, që u bë falë kontributit tuaj.

Vëmendja jonë ka qenë gjithmonë e përqendruar tek familjet e të rënëve në krye të detyrës, për faktin sepse janë memoria e Policisë, janë kolegët tanë të cilët kanë sakrifikuar gjënë më të shtrenjtë jetën dhe kjo nuk është thjesht vetëm dorëzimi i banesës falë edhe kontributit tuaj, por edhe tek përkujdesja që në kemi pasur te rasti i Orgestit, që me dëshirën e tij për të ndjekur gjurmët e të atit e kemi bërë pjesë të Policisë së Shtetit. Jo vetëm Orgestin, por edhe shumë kolegë të tjerë, dhe do vazhdojmë që me këtë mënyrë dhe me këtë qasje të mundohem t’ua lehtësojmë sadopak boshllëkun e krijuar në familjen e tyre. Edhe njëherë shumë faleminderit. Pranvera e tha që sot është me të vërtetë ditë e lumtur, por edhe ne ndihemi shumë mirë që sot jo vetëm Pranvera, por edhe ne po bëjmë realitet ketë dëshirë”- u shpreh Veliu.

Familja Lleja shprehu mirënjohjen e thellë ndaj qeverisë suedeze dhe programit SCPA, për këtë ndihmë të madhe humanitare të dhënë ndaj tyre, gjithashtu dhe mirënjohje ndaj Policisë së Shtetit, për mbështetjen e dhënë ndër vite si familje e Dëshmorit të Atdheut.