Cërrik – Zbardhen disa vjedhje të ndodhura në qytetin e Cërrikut, ndalohet nga Policia autori i dyshuar, shpallet në kërkim autori tjetër.

Në vijim të punës për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin E. U., 35 vjeç, banues në Elbasan.

Si dhe u shpall në kërkim D. K., 32 vjeç, banues në Elbasan dhe po punohet për kapjen e tij.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se ditën e djeshme, në fshatin Floq, Cërrik, kanë vjedhur disa vegla pune në magazinën në pronësi të shtetasit E. R.

Po ditën e djeshme, në fshatin Trunxh, Cërrik, këta shtetas dyshohen se kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit K. K.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të një vjedhjeje tjetër, konkretisht:

Më datë 06.07.2020, në fshatin Linas, Cërrik, dyshohen se kanë vjedhur disa vegla pune në banesën e shtetasit P. Sh.

Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar një automjet dhe vegla pune të vjedhura.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.