Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bënë kapjen dhe arrestimin provizor të shtetasit A. O., 45 vjeç, banues në Tropojë.
Arrestimi provizor i tij u bë me qëllim ekstradimi pasi Gjykata Themelore Gjakovë, Kosovë, me vendimin e datës 06.04.2021, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, proceduan në gjendje të lirë shtetasin A. G., 28 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale të “Pengimit në ushtrimin e të drejtës për tu shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, pasi më datë 09.04.2021, gjatë zhvillimit të aktivitetit elektoral të një subjekti politik, në qytetin e Bajram Currit, ka ngritur një dron i cili mbante një flamur me siglën e një subjekti tjetër politik.
Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.