Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kurbin – Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Kurbin, operacioni policor antikanabis i koduar “Gjormë 2021”. Policia zbulon brenda një magazine, një ambient të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba. Sekuestrohen një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar dhe pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit antikanabis të koduar “Gjormë 2021”. Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. H., 24 vjeç, banues në Katund i Ri, Kurbin, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi E. S., 41 vjeç, banues në Kurbin. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo. Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, bidonë me lëndë ushqyese për bimët narkotike. Po gjatë operacionit, në banesën e shtetasit V. H. është gjetur dhe sekuestruar dhe një armë zjarri pushkë me dylbi të montuar. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë – Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Goditet një rast i falsifikimit të monedhave, arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Vihen në pranga dhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale, 2 prej tyre të shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se dy shtetas dispononin kartëmonedha të falsifikuara, organizuan punën për kapjen e tyre. Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit A. O., 49 vjeç banues në Himarë dhe R. O., 22 vjeç banues në Delvinë. Arrestimi i tyre u bë pasi në fshatin Piqerras, Himarë, gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e tyre, iu gjetën 4800 euro të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit A. D., 28 vjeç, banues në Vlorë, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vjedhja”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u bë ndalimi i shtetasit në kërkim A. T., 22 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 03.04.2021 i ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprën penale ‘’Vjedhja”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin F. B., 30 vjeç, banues në Sarandë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, një dorezë metalike dhe fitil zjarrpërcjellës. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Bien në prangat e Policisë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak ndaluan shtetasin A. Ç., 48 vjeç, banues në Shijak, i shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi më datë 02.04.2021, pas një konflikti të çastit, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin B. K., 21 vjeç, banues në Shijak, i cili pas mjekimit në spital është larguar në banesë. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin L. I., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Kakavijë – Goditet një tjetër rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, bie në pranga 20-vjeçari. Sekuestrohet një automjet dhe një aparat celular. Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX-it dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 20 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi u kap në afërsi të fshatit Peshkëpi, duke transportuar me automjetin tip “Ford”, 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit 200 euro për person. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin G. C., 42 vjeç, banues në Fier, pasi në lagjen “29 Nëntori”, Fier, për motive të dobëta, ka thyer xhamat e lokalit në pronësi të shtetases O. D. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Shkatërrim prone”.
Tiranë – Arrestohen në flagrancë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. L., 24 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së tij iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar kanabis. Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë shtetasi R. Xh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; K. B., 29 vjeç, pasi sherbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” kanë ndaluar për kontroll mjetin me drejtues A. D. dhe pasagjer shtetasit K. B dhe K. H. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit K.B., iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë të dyshuar kokainë. Në vijim të veprimeve u proceduan në gjendje të lirë edhe shtetasit A. D dhe K. H., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”. Nga specialistët e Komisariatit të Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 21 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. Sh., 27 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; L. G., 53 vjeç dhe Xh. K., 28 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Më datë 08.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, dhe punohet për kapjen e shtetasve B. I.(B)., 29 vjeç, dhe M. B., (B), 26 vjeç, sepse në rrugën “Veli Dedi”, për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin V. Ç., 34 vjeç, dhe me sende të forta shtetasin E. Sh., të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për kapjen dhe shoqërimin e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 83 shtetas, konkretisht: 15 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 50 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 4 autorë të ndaluar, 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste të ‘Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në Tiranë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Tiranë, ku po punohet për kapjen e autorëve.
Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 2 raste, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë, 4 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, në Korçë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i monedhave”, në Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 në Tiranë dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, në Fier, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Kukës.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.