Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar, vihet në pranga 1 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L., 28 vjeç, banues në Gramsh.
Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Bilisht-Korçë, pranë fshatit Cangonj, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Benz”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjatë ndjekjes, 28-vjeçari nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet, por u kap dhe neutralizua.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.