Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë u bë ndalimi i shtetasit A. H., 27 vjeç, pasi ky shtetas në anë të mashtrimit, iu merrte shuma parash personave të ndryshëm, me qëllim që t’i punësonte në sektorin privat dhe publik. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit Y. A., 32 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. D., 44 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve F. H dhe E. L., pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë vjedhur disa dritare alumini në magazinën në pronësi të shtetasit A. B. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: S. Xh., 36 vjeç, pasi ditën e djeshme, në Kavajë, ka aksidentuar shtetasin L. V., 65 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë; R. K., 28 vjeç, S. H., 38 vjeç dhe M. Ç., 37 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; S. V., 32 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur është përfshirë në një aksident vetëm me dëme materiale dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Fier – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Parandalimi”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”. Sekuestrohen fara kanabisi dhe lëndë narkotike cannabis sativa. Vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike, i cili kishte përshtatur lokalin për përdorim droge. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune hetimore dymujore, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë policore, arrestuan në flagrancë shtetasin E. D., 36 vjeç, banues në Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij në lagjen “29 Nëntori” Fier, të cilin e kishte përshtatur si ambient për përdorimin e lëndëve narkotike, është kapur në kushtet e flagrancës me 1 kg e 140 gram fara kanabisi të cilat do ti shiste ,me qëllim kultivimin e tyre si dhe 650 gram lëndë narkotike cannabis sativa e bërë gati për tu ndarë në doza të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan edhe 1400 qese farmaceutike që shërbenin për paketimin e lëndës narkotike, 1 peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe një automjet. Materialet procedurale për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Nxitja për përdorimin e drogës”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Shijak/Durrës – Vijon zbatimi i planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë. Kontrollet nga strukturat e DVP Durrës dhe ato në varësi të saj. Gjatë kontrolleve, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, është evidentuar dhe goditur një rast i armëmbajtjes pa leje. Sekuestrohet një armë zjarri automatik, arrestohet në flagrancë poseduesi. Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, kapjen e personave në kërkim, atyre që lëvizin me armë zjarri apo i mbajnë ato në banesë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, kanë vijuar me kontrolle të shtuara, si në rrugë të qytetit ashtu edhe në disa objekte e banesa të dyshuara, bazuar edhe në informacionet e dërguara nga qytetarët në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112. Si rezultat i kontrolleve, në lagjen “Kodër”, Shijak, në banesën e shtetasit B. N. është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak u arrestua në flagrancë shtetasi B. N., 46 vjeç, banues në Shijak. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Shkodër – Nga specialistet për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër u ndalua shtetasi D. J., 29 vjeç, banues në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, i shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi më datë 18.02.2021, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, për motive të dobëta, ka goditur me mjete të forta në kokë shtetasin K. B., 31 vjeç, banues në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 rast në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë, dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 8 raste, 4 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Berat dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, 1 në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë, dhe 1 në Elbasan, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, me 1 autor të ndaluar.
Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, 1 në Elbasan dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Lezhë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Korçë dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i letrave me vlerë”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Prishja e qetësisë publik”.
Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Kukës, me 2 autorë që procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Vetëgjyqësia”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 8 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 11 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.