Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 25 mars 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Fier – Vijojnë operacionet nga Policia e Fierit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 14 vite burg për veprat penale  “Vrasje në bashkëpunim” dhe “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim. Operacioni i zhvilluar nga strukturat e DVP Fier, në bashkëpunim me FNSH Fier dhe Interpol Tirana.  Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me FNSH Fier dhe me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë bërë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit Izmir Krasniqi, 30 vjeç, banues në Fermë Çlirim, Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Torinos/ Itali e ka dënuar me 14 vjet burg, për veprat penale “Vrasje në bashkëpunim” dhe “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Tiranë – Bien në prangat e Policisë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve K. B., 29 vjeç dhe A. Q., 18 vjeçe, pasi në rrugën “Fadil Deliu”, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. B., shërbimet e Komisariatit Nr. 4 gjetën dhe sekuestruan një sasi me lëndë të dyshuar kanabis dhe 1 armë të ftohtë, e cila kjo e fundit i përkiste shtetases A. Q.  Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit T. D., 30 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase të mitur.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për shtetasin në kërkim R. G., 30 vjeç, sepse Gjykata e Shkallës së parë Tiranë,  ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Fshehje e të ardhurave”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. N., 24 vjeç, pasi u kap nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” duke vjedhur në mjetin e shtetasit E. K. Gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi parash.  Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme  u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan sende të ndryshme me vlerë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.  Procedohen penalisht dhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasit G. X., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin tip “Volksëagen”, në gjendje të dehur, është përplasur me një mjet tjetër, duke i shkaktuar dëme materiale; Sh. B., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua në lagjen nr. 17, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur; B. Z., 51 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasin M. M., 51 vjeç, banues në Manzë, Durrës (me detyrë mjek në spitalin rajonal Durrës), pasi ka bërë kallëzim shtetasja L. B., e cila pretendon se ai ka kryer mjekim të pakujdesshëm ndaj bashkëjetuesit të saj, shtetasit D. B., 63 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë proceduan penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasit E. L., 35 vjeç dhe Z. H., 51 vjeç, banues në Krujë, pasi në ambientet e një lokali në Krujë, kanë organizuar lojëra fati të basteve sportive me anë të telefonit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celularë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Bulqizë – Në vijim të ngjarjes së ndodhur gjatë ditës së djeshme, ku gjatë punës  në një galeri kromi u lëndua një shtetas, janë proceduar penalisht nga Policia tekniku i sektorit dhe brigadieri i një subjekti minerar. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit A. D., 53 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë teknik sektori në një subjekt minerar) dhe F. K., 48 vjeç, banues në Bulqizë,  (me detyrë brigadier), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Shtetasit e lartpërmendur kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e  gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, në një nga puset e subjektit minerar, gjatë punës është lënduar dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën E. B., 31 vjeç (me detyrë fadromist). Materialet  procedurale i kaluan  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Lezhë – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. S., 32 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi në janar 2021, Gjykata e Kurbinit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim. Gjithashtu,  nga shërbimet e Policisë së Mirditës u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit R. B., 26 vjeç, banues në Mirditë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim policor për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi në qytet Rrëshen, për motive të dobëta, ka plagosur me sende të forta shtetasin A. P.  Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.  Sekuestrohen 5 pajisje elektronike, procedohet penalisht poseduesi i tyre, pronari i lokalit ku ushtrohej kjo veprimtari. Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit, gjatë  kontrolleve të shtuara për ndëshkimin e atyre personave që tentojnë të ushtrojnë këtë aktivitet të kundërligjshëm, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se në lagjen “1 Maji”, Vlorë, në lokalin e shtetasit A. K., 46 vjeç, banues në Vlorë, ushtrohej aktiviteti i kundërligjshëm i lojërave të fatit, duke fshehur edhe të ardhurat. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 pajisje elektronike që përdoreshin për të ushtruar lojërat e fatit.  Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik – Financiar proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasin A. K., për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Gramsh – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, kapën dhe ndaluan shtetasin G. O., 41 vjeç, banues në Cërrik, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar urdhër ndalimi për këtë shtetas, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Qafë Thanë – Një tjetër person në kërkim ndërkombëtar bie në prangat e Policisë. Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 47-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhimi e shitja e narkotikëve”. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë të mundur arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasit A. D., 47 vjeç, banues në Gostivar, Maqedoni e Veriut. Gjykata e Torinos, Itali, ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhimi e shitja e narkotikëve”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 55 shtetas, konkretisht: 9 janë ndaluar, 9 janë arrestuar në flagrancë dhe 37 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste të “Kanosja” 2 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste, 1 rast në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 1 në Korçë me 1 autor të ndaluar dhe 1 në Vlorë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 12 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 3 në Berat dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa 1 tjetër është proceduar penalisht për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Janë evidentuar 4 raste të “Mashtrimi”, 1 në Tiranë, 1 në Shkodër, 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 rast në Fier, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, në Korçë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose në kujdestari”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 3 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.