Durrës – Arrestohen në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Procedohen penalisht dhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Arrestohen në flagrancë 3 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.

Procedohen penalisht dhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasit:

G. X., 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, në gjendje të dehur, është përplasur me një mjet tjetër, duke i shkaktuar dëme materiale;

Sh. B., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua në lagjen nr. 17, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur.

B. Z., 51 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasin M. M., 51 vjeç, banues në Manzë, Durrës (me detyrë mjek në spitalin rajonal Durrës), pasi ka bërë kallëzim shtetasja L. B., e cila pretendon se ai ka kryer mjekim të pakujdesshëm ndaj bashkëjetuesit të saj, shtetasit D. B., 63 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë proceduan penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasit E. L., 35 vjeç dhe Z. H., 51 vjeç, banues në Krujë, pasi në ambientet e një lokali në Krujë, kanë organizuar lojëra fati të basteve sportive me anë të telefonit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.