Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24 mars 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Policia e Durrësit, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 9 vjet e 3 muaj burg, me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Operacioni i zhvilluar nga strukturat e DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Interpol Tirana.  Strukturat e Policisë Vendore Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZKQ Interpol Tirana, në bazë dhe të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit Adrian Kacmoli, 41 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Venecias/Itali e ka dënuar me 9 vjet e 3 muaj burg, për veprën penale “Shkelje e ligjit mbi narkotikët”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Krujë/Informacion paraprak – Më datë 24.03.2021, në orën 11:35, në Fushë Krujë, është gjetur i vetëvarur në garazhin në pronësi të tij, shtetasi M. M., rreth 64 vjeç. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Tiranë – Bien në prangat e policisë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.  Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. M., 42 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ngacmim seksual”, pasi me datë 21.03.2021, ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur.  Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. G., 27 vjeç, pasi nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kanabisi, e ndarë në doza gati për shitje dhe një mjet prerës (thikë).  Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve P. G., 59 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur është përfshirë në një aksident vetëm me dëme materiale; M. N., 22 vjeçe, pasi duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse, ka humbur kontrollin e tij dhe është përplasur me trafikndarësen, duke marrë dëmtime të lehta. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Goditet një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht kokainë.  Finalizohet pas 5 muajsh hetime, operacioni policor i koduar “Bulevardi”.  Operacioni nga DVP Elbasan dhe FNSH, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Vihen në pranga 3 shtetas.  Sekuestrohen 2 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe 4 aparate celular. Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të grumbulluara gjatë hetimit 5-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, në bashkëpunim me FNSH dhe Forcën e Posaçme “Shqiponjat”, organizoi dhe finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”, në kuadër të të cilit u godit një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, kryesisht kokainë, në qytetin e Elbasanit. Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit G. M., 34 vjeç, H. H., 44 vjeç dhe S. S., 54 vjeç, të tre banues në Elbasan. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. S. u gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri pistoletë, një sasi fishkësh dhe një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza. Nga hetimet e kryera është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria kriminale e këtyre shtetasve, të cilët merreshin me shpërndarjen e kokainës në qytetin e Elbasanit. Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, kryer në bashkëpunim dhe në ngarkim të shtetasit S. S., edhe për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Korçë – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. M., 45 vjeç dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve L. C., 46 vjeç dhe J. P., 25 vjeç, banues në Korçë, pasi në ambientet e IEVP Korçë, gjatë kontrollit për sende të ndaluara, shtetasit L. C. iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike heroinë, të cilën ia kishte dhënë shtetasi M. M., për një person të paraburgosur. Ndërsa shtetasi J. P., edhe pse ka patur dijeni për ngjarjen, nuk ka bërë kallëzimin për krimin. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër  – U kap duke transportuar disa shtetas nga vendet e treta, arrestohet në flagrancë 51-vjeçari, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalimit të paligjshëm të kufirit”. Ndalohet dhe një shtetas i shpallur në kërkim për të njëjtën vepër penale. Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, pas një pune të mirorganizuar, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. A., 51 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas është kapur nga Policia, në aksin rrugor Shkodër – Hani i Hotit, në vendin e quajtur “Rotondo e Koplikut”, duke transportuar në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me mjetin tip “Volkswagen”, 6 shtetas nga vendet e treta, që kishin si destinacion final vendet e BE-së. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, është kapur dhe ndaluar shtetasi i shpallur në kërkim K. P. 49 vjeç, banues në Laç. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, me vendimin e datës 25.05.2017, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 58 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 10 janë arrestuar në flagrancë dhe 43 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 2 autorë të ndaluar, 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Durrës dhe 1 në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Po në Tiranë është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, në Shkodër, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Në Korçë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, ndërsa 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Organizmi i lotarive të palejuara”.

Në Vlorë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, ndërsa 2 të tjerë janë proceduar penalisht për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 2 në Durrës.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.