Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Dibër – Policia e Dibrës ka arrestuar 12 persona, 39 të tjerë janë shpallur në kërkim, si të dyshuar për sulmin ndaj KZAZ nr. 19, në qytetin e Peshkopisë. Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 28 Qershor 2019 rreth orës 21.00, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, janë grumbulluar pranë KZAZ Nr. 19, e cila ndodhet në ambientet e palestrës së shkollës “Nazmi Rushiti” në qytetin e Peshkopisë. Protestuesit kanë përdorur sende të forta, kapsolla dhe bomba molotov në drejtim të KZAZ-s, si dhe në drejtim të punonjësve të Policisë që ishin të vendosur me shërbim. Policia ka arrestuar në flagrancë 12 shtetas, konkretisht: K.U., 29 vjeç, banues në fshatin Pollazhan, M.Gj, 29 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë, A.K, 55 vjeç, banues në fshatin Kandërr, F. V., 54 vjeç, banues në Peshkopi, A. K., 23 vjeç, banues në fshatin Kandër, E.K., 25 vjeç, banues në fshatin Kandër, J. K., 31 vjeç, banues në fshatin Kandër, I. K., 52 vjeç , banues në fshatin Kandër, O. Z., 32 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë, E. B., 32 vjeç, banues në fshatin Kandër, L.Z., 42 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë, A. B., 61 vjeç, banues në fshatin Rashnapojë. Për këtë ngjarje, janë shpallur në kërkim edhe 39 shtetas të tjerë .
Materialet procedurale në ngarkim të autorëve të sulmit i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Dibër, për veprat penale: ‘’Shkatërrimi i pronës me zjarr’’, ’’Kundërshtimi me dhune i punonjësve të policisë rendit publik’’ dhe ‘’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, parashikuar nga neni 151/2, dënimi nga 5 deri në 15 vjet, Neni 236/2 dënimi me gjobë, ose burg deri në 7 vjet dhe Neni 326/a dënimi me burg nga 6 muaj deri ne 5 vjet. Policia e Dibrës nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të implikuar. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është tërësisht e angazhuar dhe ka marrë të gjitha masat për të garantuar procesin zgjedhor, duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ që përfshihet në aktivitet kriminal.
Dibër – Policia e Shtetit ka ndaluar sot në mbrëmje në Peshkopi një person me precedente të shumëfishtë penale, ndaj edhe aksioni i ndalimit ka qenë kompleks. Nisur nga të dhënat e marra në rrugë operacionale, operacioni ishte me risk të shtuar. Në kushtet e këtij aksioni të zhvilluar në një situatë të tensionuar, një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është treguar i pakujdesshëm duke shtyrë një gazetar teksa po filmonte me celular operacionin.Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këtë incident duke i kërkuar ndjesë gazetarit të TV “News 24”. Ky akt i pakëndshëm erdhi si rezultat i aksionit të zhvilluar nën tension dhe pamundësisë së punonjësit të Policisë për të identifikuar në kohë të shpejtë gazetarin. Pavarësisht situatës së krijuar, Policia e Shtetit siguron të gjithë qytetarët dhe gazetarët se është në shërbim të tyre dhe ndodhi të tilla nuk do lejohen të përsëriten, pavarësisht arsyeve dhe situatave.
Lezhë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet dhe arrestohet një tjetër shtetas shqiptar me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushen e narkotikëve. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve,në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra dhe një pune të mirë organizuar në bashkëpunim me Interpol Tirana arrestuan përkohësisht me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar K.M.,24 vjeç, banues në Lezhë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Monzes/ Itali, në Maj 2019 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale në fushen e narkotikëve parashikuar në nenet 73,110 dhe 112 të Kodit Penal Italian. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.
Korçë – Finalizohet me sukses operacioni antikontrabandë i koduar “Farmacia”. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, si edhe procedohen penalisht në gjendje të lirë dy doganierë të Doganës së Kapshticës, për shpërdorim detyre. Sekuestrohen sasi medikametesh të dyshuara si kontrabandë. Specialistët e Seksioneve për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtoritë Vendore të Policive Korçë dhe Tiranë, kanë finalizuar me sukses operacionin antikontrabandë të koduar “Farmacia”, si rezultuat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i tre shtetasve: Y.C, 47 vjeç, banues në Korçë, R.N, 35 vjeç, banues në Tiranë, R.Xh, 58 vjeç, banues në Korçë. Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj dy shtetasve të tjerë: K.P, 39 vjeç, banues në Bilisht
H.Xh, 52 vjeç, banues në Pogradec (të dy me detyrë doganierë pranë Doganës së Kapshticës). Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë, kanë ushtruar në mjetin tip “Benz” të shtetasit Y.C, në Korçë, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh të dyshuara kontrabandë, të cilën ky shtetas ia kishte marrë shtetasit R.Xh, i cili me mjetin e tij tip “Volkswagen Sharon”, bënte kalimin në mënyrë të kundërligjshme të saj, nga Greqia drejt Shqipërisë, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës, duke shmangur detyrimet doganore. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se dy doganierët shtetasit K.P dhe H.Xh, kanë shpërdoruar detyrën duke mos ushtruar kontrollin e duhur në brendësi të mjetit tip “Volkswagen Sharon” të shtetasit R.Xh. Sasinë e medikamenteve shtetasi Y.C, do ta transportonte nga Korça në drejtim të Tiranës, për në farmacinë e shtetasit R.N, gjatë kontrollit të ushtruar në ambjentet e së cilës, iu gjet e sekuestrua një tjetër sasi tjetër medikamentesh me mbishkrime të huaja, të dyshuara si kontrabandë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industrial” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Mallakastër – Arrestohen në flagrancë 2 punonjës të Bashkisë Mallakastër dhe roja e një shkolle në qytetin e Ballshit, si edhe shpallet në kërkim nënkryetari i Bashkisë Mallakastër për veprën penale “Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese” e kryer në bashkëpunim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë 3 shtetas: D.D, 57 vjeç, banues në Ballsh (shofer i Bashkisë Mallakastër), E.I, 39 vjeç, banues në Ballsh (punonjës i Bashkisë Mallakastër), N.K, 58 vjeç, banues në Ballsh (roje shkolle);
Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit H.S, 38 vjeç, banues në Ballsh, (Nënkryetar i Bashkisë Mallakastër). Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se këta shtetas janë autor të dyshuar të mbylljes dhe bllokimit 2 shkollave në qytetin e Ballshit dhe 21 shkollave në fshatrat e Bashkisë, të cilat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë vendosur e miratuar si Qendra Votimi për zgjedhjet e Pushtetit Vendor të datës 30.06.2019. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme hetimore.
Pogradec – Arrestohen në flagrancë 2 punonjës të Bashkisë Pogradec, për veprën penale “Pengimi i zgjedhësit, kryer në bashkëpunim”. Specialistët për Hetimin e Krimit, në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve S.B, 61 vjeç, G.B, 59 vjeç, banues në Pogradec, (të dy me detyrë punonjës shërbimesh në Seksionin e Arsimit pranë Bashkisë Pogradec). Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, duke mbyllur me çelës tre shkolla dhe një kopsht fëmijësh në lagjet nr 2 dhe 5 të qytetit të Pogradecit, të cilat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë vendosur dhe miratuar si qendra votimi, për zgjedhjet e Pushtetit Vendor të datës 30.06.2019. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 17 janë arrestuar , 3 janë ndalur, 69 po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.
Është ndalur 1 shtetas pasi ishte shpallur në këkim, kthyer deportiv në Qafë – Botë, i dënuar për veprën penale “Kanosja”.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja” 1 në qarkun Korçë dhe 1 në Durrës; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë; 3 raste “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Berat, 1 në Vlorë, 1 në Dibër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 9 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë me 1 autor dhe 1 në Durrës me 2 autorë, të cilët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 6 në Berat, 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 2 në Korçë, 1 në Dibër.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Fier dhe 1 në Elbasan.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.