Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 mars 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Fier – Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Procedohet penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër. Në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë janë ndaluar shtetasit A. D., 34 vjeç dhe L. K., 43 vjeç, të dy banues në Vlorë (të dënuar më parë për vjedhje). Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datë 14.03.2021, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, kanë vjedhur motoçikletën në pronësi të shtetasit T. G. Gjithashtu, nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. D. është autor i vjedhjes së motoçikletës së shtetasit Xh. H., ngjarje e ndodhur në datën 30.07.2020, në afërsi të rotondos së Savrës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy motoçikletat e vjedhura. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë shtetasit A. B., 40 vjeç, E. B., 20 vjeç, si edhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin A. B., 17 vjeç, të tre banues në Çermë Sektor, Divjakë. Këta shtetas, në datë 17.03.2021, në fshatin Çermë Sektor, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur për motive të dobëta, me sende të forta, shtetasin Sh. P., 52 vjeç, banues në Çermë Sektor, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Gjithashtu, gjatë konfliktit, këta shtetas kanë dëmtuar edhe automjetin tip “Fiat Punto” të 52-vjeçarit, duke i thyer xhamat. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. S., 42 vjeç, banues në Fier, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin e datës 14.03.2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhunë në familje”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Poliçan, Berat – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Organizonte lojëra fati, nëpërmjet celularit, në ambientet e punës, arrestohet në flagrancë pronari i lokalit. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Z., 42  vjeç, banues në Mbrakull, Poliçan, pasi është kapur në ambientet e lokalit të tij Bar-Kafe, duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit online, nëpërmjet celularit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Specialistët për Hetimin e narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. M., 26 vjeç, pasi në vendin e quajtur “Ura e Goricës”, gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël cannabis sativa. Materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vlorë – Kanosi një shtetas duke qëlluar me armë zjarri në ajër, arrestohet në flagrancë 17-vjeçari. Në pranga dhe një 16-vjeçar, pasi fshehu armën e zjarrit. Procedohen penalisht 4 shtetas të tjerë për “Moskallëzimi i krimit”. Mbrëmjen e datës 17.03.2021, në fshatin Akërni, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi V. M. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në ajër duke kanosur shtetasin E. I., 23 vjeç, banues në fshatin Akërni, Vlorë. Nga e shtëna me armë zjarri nuk ka të lënduar. Pasi ka ndodhur ngjarja, shtetasi D. Ll. ka marrë dhe ka fshehur armën e zjarrit me të cilën shtetasi V. M. ka kanosur shtetasin E. I. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilët kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve  V. M, 17 vjeç, banues në fshatin Trevllazër dhe D. Ll., 16 vjeç, banues në fshatin Bishan. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Dh. M., J. M., V. Ll., dhe R. B., pasi ka qenë të pranishëm dhe nuk kanë kallëzuar krimin.  Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Tropojë – Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim. Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Përndjekja”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave në kërkim, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim B. U., 31 vjeç, banues në Tropojë. Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, me vendimin e datës 11.03.2021, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. Ç., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kanabisi.  Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. K., 35 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së tij. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, ndaluan shtetasin V. P., 53 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. H., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. N., 51 vjeç, banues në Sukth, pasi në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar në gjendje të duhur mjetin tip “Renault”, ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rruge. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Më datë 17.03.2021, në orën 18:35, në rrugën Durrës – Shijak, tek kryqëzimi i Fllakës, një mjet i paidentifikuar ka aksidentuar dhe është larguar nga vendngjarja, shtetasin Z. Ç., 64 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Muriqan/Shkodër – Paraqiti pasaportë të falsifikuar në kufi, arrestohet në flagrancë 28-vjeçari. Nga shërbimet e Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, në bashkëpunim me strukturat e DVP Shkodër, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. J., 28 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë.  Ky shtetas është paraqitur në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, për të kaluar drejt Malit të Zi, me një pasaportë bullgare që nuk është njohur nga pajisjet elektronike që përdoren për verifikimin e dokumenteve. Pas një kontroll të imtësishëm në vijën e dytë rezultoi se pasaporta që ka paraqitur ky shtetas ishte e falsifikuar. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjet edhe pasaporta kosovare, me të cilën u bë i mundur identifikimi i tij.  Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 63 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 16 janë arrestuar në flagrancë dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste: 5 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autori po procedohet ën gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Fier, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, në Fier, ku po punohet për kapjen e autorit.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 3 në Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste, 2 në Elbasan dhe 3 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Trafikimi i mjeteve motorike”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në Elbasan është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit” dhe 1 tjetër për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.

Në Lezhë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Marrja pa të drejtë e fëmijës”.

Është evidentuar 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, në Tiranë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.