Vlorë, Sarandë – Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim

Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. L., 29 vjeç dhe A. P., 23 vjeç të dy banues në Sarandë.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në lokalin e shtetasit A. L., në lagjen nr. 1, Sarandë, ku ishte i punësuar dhe shtetasi A. P., u konstatuan duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pajisje kompjuterike që shërbente për zhvillimin e lojërave të fatit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit A. B., 49 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 09.03.2021, i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
——
Goditën me sende të forta një shtetas, Policia identifikon dhe shpall në kërkim një prej autorëve.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u shpall në kërkim policor shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Vlorë, dhe po punohet për kapjen e tij, pasi dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin A. H., 38 vjeç, banues në Vlorë.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e dy personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje,” kryer në bashkëpunim.
——-
Më datë 11.03.2021, rreth orës 02:22, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ka rënë zjarr dhe është djegur pjesërisht mjeti tip “Fiat” në pronësi të shtetasit E. S., banuese në Vlorë.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.