Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë – Vijon operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “TIBUS”. Shkon në 6 numri i personave të arrestuar. Në vijim të operacionit “TIBUS”, në Vlorë, është kapur nga FAST Albania, FNSH, strukturat e DVP Vlorë dhe Interpol Tirana, një shtetas tjetër, i cili u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, konkretisht A. V., 30 vjeç, banues në Vlorë, Shqipëri. Arrestimi i tij u bë pasi edhe ky shtetas, ashtu si 5 shtetasit e tjerë të arrestuar mëngjesin e djeshëm, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Romës, Itali, ka lëshuar urdhër-arrestin për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
Lezhë – Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Finalizohet operacioni policor i koduar “Shënkolli’, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet policore në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Kishte përshtatur një ambient pranë banesës për kultivimin e bimëve narkotike dhe mbante armë gjahu pa leje në banesë, vihet në pranga 49-vjeçari. Sekuestrohen disa fidanë narkotikë të kultivuar në kubikë dhe vazo, aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike dhe një armë gjahu çifte. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi disaditor, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Shënkolli”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi L. N., 49 vjeç, banues në Shënkollë, Lezhë. Ky shtetas kishte kultivuar disa fidanë narkotikë të dyshuar cannabis sativa në kubikë dhe vazo, në bodrumin e një ambienti të mbyllur që e kishte përshtatur me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të banesës iu gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu çifte që e mbante pa leje dhe pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në ambientin e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike. Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike “.
Gjirokastër – Goditet një rast i falsifikimit të monedhave dhe i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Posedonte kartëmonedha të falsifikuara dhe shpërndante doza me kanabis, arrestohet në flagrancë nga Policia. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas dispononte kartëmonedha të falsifikuara dhe shpërndante doza me lëndë narkotike cannabis sativa, organizuan punën dhe si rezultat arrestuan në flagrancë shtetasin L. D., 32 vjeç, banues në Gjirokastër. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjetën 400 euro të dyshuara të falsifikuara, disa doza me lëndë të dyshuar cannabis sativa, fara të dyshuara të bimës narkotike cannabis sativa dhe një thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Vlorë, Sarandë – Policia vë në pranga 2 shtetas , njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë ndalimin e shtetasit D. M., 27 vjeç, banues në Vlorë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 01.03.2021 i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin M. B., 35 vjeç, banues në Sarandë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Korçë – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vjedhje dhe mashtrim. Në vijim të punës për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. S., 32 vjeç, banues në Ersekë. Ky shtetas, në lagjen nr. 5, Korçë, dyshohet se i ka vjedhur një sasi parash shtetasit Th. M., 53 vjeç, banues në Korçë. Gjithashtu, nga hetimet e kryera ka rezultuar se nëpërmjet mashtrimit, 32-vjeçari iu ka marrë sasi të ndryshme lekësh shtetasve M. O. dhe A. N. Po nga këto struktura u arrestuan në flagrancë shtetasit R. D., 30 vjeç dhe D. A., 26 vjeç, banues në Korçë. Këta shtetas, mbrëmjen e djeshme, në qytetin e Korçës, në lagjen nr. 5, kanë vjedhur orendi të ndryshme shtëpiake në banesën e shtetasit K. D., ndërsa në lagjen nr. 16, kanë vjedhur një biçikletë dhe një motor në garazhin e shtetasit J. J. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.
Skrapar/Informacion paraprak – Më datë 10.03.2021, në vendin e quajtur Bar i madh, Çorovodë, është gjetur një trup i pajetë, i cili i përket shtetasit K. K., 61 vjeç, banues në Tiranë ( dyshohet me probleme psikologjike). Nga këqyrja në trupin e tij janë konstatuar shenja djegieje që dyshohet se i ka marrë aksidentalisht. Trupi i shtetasit K. K. është dërguar në morgun e spitalit Berat.
Elbasan – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe arrestuan shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar T.(I). K., 35 vjeç, banues në Elbasan. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 23.02.2018, e ka dënuar me 5 vite burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 59 shtetas, konkretisht: 11 janë ndaluar, 23 janë arrestuar dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 1 raste i “Kanosja”; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 3 raste me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korcë, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Elbasan dhe 1 në Korcë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Dibër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, Tiranë ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, 2 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Kallëzimi i rremë”.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i monedhave”, në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Braktisja e fëmijëve të mitur”, 1 në Tiranë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 7 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Fier dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjete pa leje drejtimi, 1 në Lezhë dhe 2 në Dibër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.